Bota Moska pretendon se ka zmbrapsur “sulmin e madh” në Donetsk

Moska pretendon se ka zmbrapsur “sulmin e madh” në Donetsk

Ministria ruse e mbrojtjes ka pohuar se ka “zmbrapsur një ofensivë në shkallë të gjerë” nga forcat ukrainase në rajonin juglindor të Donetskut, të aneksuar nga Moska, ndërkohë që luftimet u intensifikuan përgjatë kufirit”.

Sipas njoftimit, forcat ruse vranë 250 trupa ukrainase dhe shkatërruan 16 tanke, tri automjete luftarake të këmbësorisë dhe 21 automjete të blinduara luftarake në proces.

Nuk ka pasur asnjë koment nga Kievi dhe pretendimi rus nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, raportojnë mediat britanike BBC dhe Guardian.

Ndërkohë Kievi, ka përgatitur një “kundërofensivë të madhe” prej muajsh, duke shpresuar të rikuperojë territorin e humbur që nga ajo kohë.

Rusia nisi operacionin e saj ushtarak në shkurt 2022. Ushtria e Kievit tha, kohët e fundit, se nuk do të kishte njoftim për fillimin e manovrave. Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se dje, në jug të Donjetskut, “armiku ka nisur një ofensivë në shkallë të gjerë në pesë sektorë”.

Një ditë më parë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një interviste të dhënë për gazetën “Wall Street Journal”, tha se forcat e armatosura të Ukrainës janë gati për të ndërmarrë ofensivën e pranverës në zonat e vendit të pushtuara nga Rusia.

“Jemi fort të bindur se do të kemi sukses”, deklaroi presidenti ukrainas, duke pranuar megjithatë se ofensiva e gjerë, e paralajmëruar prej muajsh, paraqet disa faktorë të panjohur. “Nuk e kam idenë se sa kohë do të zgjasë. Për të qenë i sinqertë, mund të shkojë në mënyra të ndryshme, krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra. Por ne do ta bëjmë dhe jemi gati ta bëjmë.”