Moska është e gatshme për bisedime me Perëndimin lidhur me luftën në Ukrainë, e madje edhe për një takim Putin-Biden. Këtë e tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavov, i cili i quajti të pavërteta pretendimet se Moska po refuzon bisedimet me Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, thjesht ka munguar një propozim serioz. “Kjo është gënjeshtër. Ne nuk kemi pranuar asnjë ofertë serioze për komunikim”.
Edhe pse akuzon Shtetet e Bashkuara për përfshirje de facto, në konfliktin me Ukrainën, shefi i diplomacisë ruse tha se janë të gatshëm të konsiderojnë një propozim të mundshëm për një takim mes presidentëve Putin dhe Biden, gjatë samitit të G20-tës që mbahet në nëntor në Indonezi. “Ne vazhdimisht kemi thënë se ne nuk refuzojmë asnjëherë takime. Nëse ka ndonjë propozim, ne do ta shqyrtojmë”, tha Lavrov.
Duke komentuar për mundësinë që Turqia të ndërmjetësojë bisedimet midis Rusisë dhe Perëndimit, Lavrov tha se Moska ka vullnet që të dëgjojë çdo sugjerim, por se nuk mund të deklarohet nëse këto përpjekje mund të prodhojnë zgjidhje.
Ministri i jashtëm rus u shpreh se presidenti Recep Tayyip Erdogan do të ketë mundësinë t’ia paraqesë propozimet Putinit kur të takohen gjatë kësaj jave në Kazakistan. Lavrov u duk se beri një hap prapa sa i përket mundësisë së përdorimit të armëve bërthamore.
“Moska i planifikon masa të tilla vetëm për të parandaluar asgjësimin e vendit”, tha Lavrov.
“I këshilloj ata që spekulojnë për këtë temë të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre. Nuk ka nevojë të fryhet artificialisht”, tha shefi i diplomacisë ruse.
“Tani do t’i këshilloja amerikanët dhe satelitët e tyre, të cilët gjithashtu janë të përfshirë në ushtrime të tilla, dhe jo vetëm ata, por edhe analistët dhe politologët tanë, të tregojnë përgjegjësi maksimale kur bëjnë vërejtje publike”, theksoi ai.