Bota Moska: Zelensky është larguar në Poloni. Kievi: Mashtrim, është në front

Moska: Zelensky është larguar në Poloni. Kievi: Mashtrim, është në front

Presidenti i Dumës ruse, Vyacheslav Volodin, deklaroi sot në ditën e 9 të luftimeve në Ukrainë se presidenti Zelensky tashmë është larguar nga vendi dhe po strehohet në Poloni, nga ku po drejton dhe rezistencën.

Një lajm i tillë u mohua menjëherë nga autoritetet ukrainase, të cilat deklaruan se Zelensky vijon të qëndrojë në frontin e luftës për mbrojtjen e vendit të tij.

“Pushtuesit nxorën një lajm të rremë duke thënë se presidenti Volodymyr Zelensky është larguar nga vendi. Kjo nuk është e vërtetë, presidenti është me njerëzit e tij”, shkruhet në faqen e parlamentit ukrainas në Telegram.

Ndërkohë, zëdhënësi i presidentit të Ukrainës, Volodymir Zelensky deklaroi se raketa ruse kanë sulmuar rezidencën e Kreut të Shtetit në Kiev.

Sergii Nykyforov postoi në rrjetet sociale disa foto ku shfaqen pjesët e raketës shumë pranë rezidencës së Zelensky, që sipas mediave është shtëpia e tij e dytë.

Zëdhënësi u shpreh se presidenti Zelensky reagoi për këtë ngjarje duke thënë thjesht “Dolën huq”.