Aleksandar Brezar – Euronews
Mostari është një ndër destinacionet kryesore të turistëve që vizitojnë Bosnjën dhe Hercegovinën, por pak prej tyre janë në dijeni se është dhe qyteti i vetën në Europë që nuk ka pasur zgjedhje lokale në më shumë se një dekadë.
Gjatë kësaj kohë, banorët e këtij qyteti kanë parë sesi është rrënuar infrastruktura teksa politikanët vendorë luftojnë për pushtet. Pa institucionet shtetërore, investimet për Mostarin janë thuajse drejt zhdukjes duke zbehur kështu potencialin e madh që ky qytet ka.
Ndaj, kur u njoftua se do të mbaheshin për herë të parë zgjedhjet pas 12 vitesh, qytetarët reaguan të befasuar.
“Ka njerëz si unë që janë pothuajse në të tridhjetat dhe që do të votojnë për herë të parë në jetë në zgjedhjet vendore. Mendoj se është një çmenduri që në shekullin e XXI, një vend që cilësohet si demokratik, ka ende njerëz që nuk iu është dhënë e drejta që të zgjedhin qeveritarët e tyre deri më tani”, thotë Boris Čović, banor i Mostarit.
Por indinjata e pasluftës, nuk është e vetmja ndjesi që kanë përjetuar qytetarët e Mostarit.
Gjatë luftës më Bosnje (1992-1995), u shkatërrua një pjesë e madhe e qendrës historike të qytetit, duke përfshirë dhe bombardimin e Urës së Vjetër – pjesë e Trashëgimisë Botërore e mbrojtur nga UNESCO – nga forcat kroate të Bosnjës.
Spastrimi etnik dhe persekutimi i qytetarëve të Mostarit u bë shkak për ikjen e tyre masive gjatë luftës. Nga ana tjetër, kjo solli ndarjen në dy pjesë të qytetit: pjesa perëndimore e Mostarit u kthye në epiqendrën e kroatëve të Bosnjës, ndërsa pjesa lindore e boshnjakëve.
Krime të shumta kundër civilëve çuan prapa qelive 6 liderë politikë dhe ushtarakë të ushtrisë së kroatëve të Bosnjës me një total prej 111 vite burgim në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë në 2017.
Por në periudhën e pasluftës, shpresat se ditë më të mira do të vinin, u zbehën shpejt pas zgjedhjes së dy liderëve të së djathtës ekstreme, SDA boshnjake dhe HDZ Bih kroate, të cilët vazhdimisht kanë bllokuar proceset e vendimmarrjes në qytet.
Marin Bago, drejtori i organizatës jofitimprurëse Futura pretendon se mungesa e këshillit të qytetit e ka kryer zyrën e kryebashkiakut si të vetmin institucion vendimmarrës dhe për shkak të mungesës së kontrollit, ai mund të bëjë çfarë të dojë.
“Sjellja e qeverisë dhe kompanive publike ishte, thënë shkurt, shkatërrimtare. Mendoj se nuk kemi pasur qeveri lokale më të keqe në 100 vjet”, thotë Bago.
Kundër sundimit të ligjit
Irma Baralija, e cila fitoi gjyqin kundër shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës në Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg në 2019, me pretendimin se qytetarëve të Mostaria iu ishte mohuar e drejta themelore për të votuar, thotë se arsyet për padinë ishin dhe profesionale dhe personale.
“Është një rast unik në botën e demokracisë ku vitet kalojnë por asgjë nuk ndodh”, thotë Baralija. “Nëse jeton në një shoqëri që në teori është demokratike, por nuk ke bazën e çdo demokracie – zgjedhjet – atëherë ndihesh sikur të kanë vendosur xhaketën e forcës.”
“Disa herë, duke marrë shkas nga përgjegjësia qytetare, kam dërguar e-maile tek zyrat lokale për të nëse do të përgjigjeshin. Kam raportuar për një kosh mbeturinash që qëndronte i tej mbushur për 15-20 ditë, ose gropa në rrugë. Por në fund, asnjë nga këto nuk u zgjidh sepse as nuk e dimë se kush e ka përgjegjësinë për këtë”, thotë Čović që punon për një organizatë joqeveritare kulture.
Shpresat për të ardhmen
Më herët gjatë vitit, nxitja e komunitetit ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje solli një marrëveshje midis dy partive politike.
Më në fund, zgjedhjet lokale në Mostar u caktuan për në dhjetor, por kjo nuk do të thotë që qytetit do i rikthehen të gjitha institucionet.
Megjithatë, Čović mendon se kjo do të jetë një mundësi e mirë për të ndryshuar disa gjëra në Mostar.
“Në fakt jam i lumtur që do të votoj këtë viti. Mendoj se edhe të tjerë do të mendohen mirë sesi ta përdorin votën e tyre tani që iu dha rasti. Në qytetet e tjera të Bosnjës, qytetarët e marrin votën si të mirëqenë dhe nuk votojnë, ndërsa në Mostar ne na është ndaluar ky proces. Mendoj se është e qartë për njerëzit që qyteti nuk mund të vazhdojë më kështu dhe se është koha e duhur për ndryshim”.