“Nuk ka nevojë dhe kohë për panik. Është një situatë që patjetër ka ndikuar edhe nga stuhia që ka pasur Europa Qendrore. Është një situatë që nuk ka fare ngjashmëri çfarë po ndodh me Europën Qendrore”.
Kështu u shpreh këtë të diel për Tv Klan, sinoptikania Lajda Porja duke iu referuar uljes së temperaturave dhe motit të keq që ka përfshirë Shqipërinë me reshje shiu.
Situata në Europë, sidomos në Gjermani, aty ku për shkak të një stuhie numërohen me dhjetëra viktima ka futur në ankth edhe qytetarët në Shqipëri.
Megjithatë, Porja tha se kjo stuhi ka patur vetëm një ndikim të lehtë për vendin tonë.
Meteorologia parashikoi që situata të mbetet e paqëndrueshme deri në orët e vona të mbrëmjes së sotme. Herë pas here do të ketë rrebeshe shiu të shoqëruara me bubullima dhe rrufe. Por Porja siguroi se kjo që po ndodh në Shqipëri nuk ka lidhje me atë që ka ndodhur në Europën Qendrore.
“Për të sqaruar dhe për të sqaruar disi të gjithë shikuesit që tashmë na ndjekin dhe janë pak të frikësuar dhe është një gjë normale që të frikësohen nga kjo situatë që ka përfshirë Europën Qendrore dhe sidomos Gjermaninë ku stuhia dhe vetë meteorologët e kanë cilësuar në shkallët e uraganit ka sjellë kaq probleme. Në fakt kjo stuhi ka pasur një ndikim lehtësisht për territorin shqiptar dhe të rajonit ku ka patur një shtim të vranësirave në të gjithë vendit. Reshjet kanë qenë nga 7 mm deri në 20 mm. Situata mbetet e paqëndrueshme deri sonte në orët e vona të mbrëmjes kur reshjet do të jenë prezente. Herë pas here do të kemi momente rrebeshe të shkarkuara me bubullima dhe shkarkesa rrufesh. E gjithë Shqipëria sidomos zona veriore dhe ajo qendrore mbeten të rrezikuara nga rrebeshe shiu dhe herë pas here do të kemi një forcim të ndjeshëm të erës dhe dallgë të trazuara. Nuk mund të flasim për panik. Nuk mund të themi që kemi një situatë problematike. Janë reshje ku me momente dhe lokalisht do të jenë intensive duke sjellë ndoshta edhe përmbytje të izoluara lokale. E gjithë kjo situatë që po ndodh në Shqipëri janë vetëm celula të vogla që kanë mbetur nga gjithë stuhi e madhe që përfshiu të gjithë Europën Qendrore”, tha ajo.
Moti do të përmirësohet që në mbrëmje për zonat bregdetare. Problematike do të jenë zonat malore dhe disa zona në Shqipërinë Qendrore. Nga e marta e në vijim, Porja tha se do të ketë një përmirësim të motit, ndërsa temperaturat do të rriten gradualisht derisa të kulmojnë në fundjavë.