Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me situatën e krijuar në vendin tonë si pasojë e motit të keq që ka përfshirë pjesën më të madhe të tij.
Në njoftimin e AKMC mësohet se situata tashmë është qetësuar teksa situata është drejt normalizimit.
Lumenjtë janë nën nivelin kritik dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
Po ashtu, AKMC njofton se Kaskadat e Drinit janë gjithashtu në nivele normale dhe pa asnjë shqetësim.
“Qendrat e banuara nuk kanë pasur probleme serioze për shkak të reshjeve. Në disa raste të izoluara, pemë të rrëzuara nga era e fortë janë larguar nga strukturat operacionale të emergjencave civile në bashki.
Për sa i përket ndërprerjeve të energjisë elektrike për shkak të erës së fortë, ekipet e OSSH-së janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike.
Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civil, në bashkëpunim me strukturat e mbrojtjes civile në prefektura dhe bashki”, shkruhet mes të tjerash në njoftimin e AKMC.