Aktualitet Moti i keq përfshin Shqipërinë: Si paraqitet situata rrugore, energjetike, në porte...

Moti i keq përfshin Shqipërinë: Si paraqitet situata rrugore, energjetike, në porte e aeroporte

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar për situatën e krijuar si pasojë e motit të keq në vend, duke bërë të ditur se ministria dhe agjencitë e saj të varësisë janë në gatishmëri të plotë në të katërt anët e vendit.

Grupet e punës të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me mjete dhe kapacitete të shtuara, ndodhen në terren, për t’ju përgjigjur çdo problematike, si pasojë e përkeqësimit të motit.

AKSET RRUGORE

Pavarësisht kushteve të vështira të motit segmentet rrugore nacionale janë të hapura dhe të qarkullueshme.

Në aksin malor Vau i Dejës- Pukë-Fushë Arrëz-Kalimash vazhdojnë reshjet e dëborës. Në Qafë Mali trashësia e dëborës arrin deri në 50 cm. Grupet në terren po vazhdojnë pastrimin e rrugës. Rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve.

Në segmentin Klos-Peshkopi ka pasur reshje të dëborës shoqëruar, me erë të fortë, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.

Në Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë (doganë), Sopot-Kerrnaj, Qafë Mejdan-Tropojë-Buçaj, B.Curri-Fierzë, B.Curri-Cerrnice, Sopot-Kam, reshjet e dëborës kanë pushuar, mjetet borëpastruese ndodhen në terren, ku po bëhet shpërndarja e kripës.

Në Rajonin Qendror, në rrugën e Dajtit ka pasur reshje dëbore me intensitet. Po krijojnë problematikë mjetet me goma verore, pasi bllokojnë rrugën duke u kthyer në pengesë edhe për borëpastrueset.

Në rajonin e Korçës ka pasur reshje dëbore në Qafë Thanë dhe Qafë Plloçë. Në aksin rrugor Podgorie-Kryqëzim Liqenas vijojnë me intensitet të ulët reshjet e dëborës. Borëpastrueset ndodhen në terren, ku po bëhet pastrimi i rrugës dhe shpërndarja e kripës.

FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE

Si pasojë e motit ka pasur probleme të furnizimit me energji në fiderat 10/6 kV që furnizojnë me energji kryesisht zona rurale të thella malore. Në rajonin e Kukësit nuk ka pasur probleme të rënda me linjat dhe furnizimin me energji.

Në orët e drekës, ka pasur problematika në rajonet e Elbasanit dhe Beratit.

Gjatë paradites Nënstacioni Radhimë është stakuar për arsye sigurie, pasi kishte nivel të lartë të ujit nga reshjet e shumta. Aktualisht ky nënstacion është rivendosur në punë dhe situata është normalizuar.

Në të gjithë vendin aktualisht janë 42 fidera me probleme. OSSH ka të angazhuar në terren 1500 punonjës me 196 mjete.

Në linjat e transmetimit nuk raportohen problematika, ndërkohë që në kaskadën e Drinit situata paraqitet me prurje normale.

FURNIZIMI ME UJË

Në stacionin e pompimit në Lezhë dhe Kurbin, ka pas ndërprerje të energjisë dhe po punohet për rikthimin në normalitet. Megjithatë, nuk ka ndërprerje në furnizimin me ujë. Në pjesën tjetër të vendit, situata e furnizimit me ujë dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura janë në kushte optimale.

PORTET DHE AEROPORTET

Për shkak të kushteve meteorologjike tragetet e linjës Durrës-Bari-Durrës nuk do të operojnë, ndërkohë që ato të linjës Durrës-Ankona-Durrës do të operojnë normalisht.