Reshjet e dëborës rrezikojnë zgjedhjet e pjesshme në tre njësi administrative të Dukagjinit që njëkohësisht kanë mungesë infrastrukture, por KQZ refuzoi një kërkesë për t’i transferuar qendrat e votimit në Shkodër.
Nga Emi Kalaja – BIRN
Përfaqësues të Partisë Socialiste, asaj Demokratike dhe koalicionit Shtëpia e Lirisë që marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale në Shkodër i kërkuan KQZ-së të transferonte në Shkodër qendrat e votimit të njësive Pult, Shalë dhe Shosh.
Përfaqësuesit e partive pretenduan se banorët e këtyre njësive e kalonin dimrin në qytetin e Shkodrës dhe se për shkak të motit, mungesës së energjisë dhe ambienteve ata nuk mund të ktheheshin për të votuar në Dukagjin.
Por kërkesa u rrëzua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi ajo nuk bazohet në ligj. Përfaqësues të shtabeve elektorale të tre forcave thanë se kjo e vështirësonte aksesin e këtyre votuesve në zgjedhje.
“Ne kemi bërë kërkesë, por e dinim se do na refuzohej pasi ligji nuk parashikon që e gjithë zona banon në Shkodër, por ka vendbanim (të regjistruar) në Dukagjin, por e vërteta kjo është”, tha Xhevdet Amuli kryetar i Partisë Demokratike Shkodër, e cila ka kandidat Xhemal Bushatin.
Edhe socialistët, për të cilët garon Majlinda Angoni mendojnë se situata është problematike.
“Atje ka dëborë, e cila është gati dy metër, mungon energjia dhe vendet e përcaktuara si qendra votimi janë jashtë funksioneve. Ajo që është dhe më problem është se banorët e atyre zonave jetojnë në Shkodër pavarësisht se nuk kanë shkëputur regjistrimin në gjendjen civile. Ato kanë të drejtë të votojnë dhe kjo situatë na vendos ne para vështirësive”, thotë koordinatorja e Partisë Socialiste Xheni Halili.
Lorenc Luka koordinator i koalicionit Shtëpia e Lirisë, i cili mbështet si kandidat Bardh Spahinë, fajësoi rivalët brenda PD-së për bllokimin e propozimit. Ai tha se të tre partitë kishin qenë dakord, por PD zyrtare kishte ndryshuar qëndrim në KQZ. “Ne kemi kërkuar të zhvendosen votimet në Rrethina pasi atje ka vështirësi të shumta për ecurinë normal të procesit”, tha Luka. Ai tha se njerëzit donin të votonin, por ata jetonin në Shkodër.
Por KQZ e rrëzoi kërkesën. Komisioni i kërkoi OSHEE-së dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar që të marrin masa për të zhbllokuar rrugët dhe furnizuar me energji elektrike zonën dhe qendrat e votimit.
Drejtuesi i OSHEE Shkodër Armand Zhuka, vuri theksin te amortizimi i godinave ku do të kryhet votimi, por tha se stafi i tij është në gatishmëri dhe janë marrë masat për të dërguar energji, edhe pse do të jetë me gjenerator.
“OSHEE nuk ka pasur pengesa. Stafi është në gatishmëri dhe janë marrë masat për të dërguar energji, por ku do dërgohet pasi godinat nuk janë të përshtatshme? Gjithsesi, garantoj se energjia do të dërgohet në këto zona. Energjia do të dërgohet me gjenerator në këto njësi dhe procesi nga OSHEE nuk do të pengohet”, – tha Zhuka.
Kryetarja në detyrë e bashkisë Voltana Ademi njoftoi se do ta ankimonte vendimin e KQZ në Komisionin e Ankimit dhe Sanksioneve. “Bashkia Shkodër vlerëson se KAS duhet të marrë në shqyrtim rrezikun e aksesit, mungesën e sigurisë së udhetimit për qytetarët në fshtarta e njësive, pasojë kjo që do të pengojë qytetarët për t’iu drejtuar qendrave të votimit e për rrjedhojë do të përbëjë cënim të të drejtës së tyre për të zgjedhur”, thuhet në dokumentin e apelimit të cilin BIRN e ka.
Në këto tre njësi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, votuan 1800 persona, nga rreth 5800 që ishin të regjistruar në listat e votuesve aty. Ndërkohë në të gjithë Bashkinë Shkodër votuan 69 mijë votues nga 166 mijë që janë të regjistruar.