Rezultatet jo fort premtuese në ndeshjet e para të La Ligas e sidomos disfata 3-0 ndaj PSG-së në Champions, i kanë lëkundur pozitat e trajnerit Zinedine Zidane në krye të Real Madridit. Për këtë arsye kanë nisur të përmendet emra si alternativa për zëvendësimin e francezit. Lista me kandidatët e mundshëm nuk është e gjatë e në raste të tilla, kur presidenti Perez ka vendosur ta shkarkojë trajnerin, ose ka hedhur sytë nga Castilla (ekipi i dytë i Realit), ose ka afruar një teknik që nuk ka qenë i impenjuar.
Mundësitë më të mirë në këtë periudhë janë Raúl, që drejton Castillan, si dhe Mourinho dhe Allegri, dy nga trajnerët dhe CV-të më prestigjioze që janë pa ekip.
Morinho është kandidati kryesor dhe ishte një hap larg vitin e kaluar. Trajneri portugez është ende pa ekip dhe rikthimi i tij do të ishte një goditje e madhe për Madridin. Portugezi e njeh shumë mirë ambientin dhe falë autoritetit të tij mund të jetë i duhuri për të vijuar me revolucionin në skuadër.
Ish-trajneri i Juves Massimiliano Allegri, ka qenë objektiv i presidentit Perez në vitin 2018. Pas largimit të Zidane në maj 2018, Allegri u njoh me interesin e Realit, por në atë kohë qëllimi i tij ishte të respektonte kontratën me Juventus.
Raúl, kapiteni mitik i “Los Blancos”, i ngjan formulës “Zidane”. Ndryshimi brenda shtëpisë është opsioni që Madridi e përdori për të zëvendësuar Benítezin dhe doli të ishte një sukses, me Zidane që vinte nga Castilla. Perez e përsëriti me Solarin vitin e kaluar dhe tani me Raul mund ta tentojë përsëri.
Përtej gjykimit të presidentit Perez, ka dhe një preferencë nga ana e tifozëve. Nga sondazhi i organizuar nga “Marca”, 45% të votuesve preferojnë Mourinhon, 22% Raul Gonzalesin dhe 21% Allegrin. Përqindja e mbetur (12%) dëshiron një trajner tjetër.