Trajneri i ri i Tottenham Hotspur, Jose Mourinho, ka dhënë intervistën e parë në krye të skuadrës londineze. Për faqen zyrtare të Tottenham, strategu portugez preku shumë tema, si dhe tregoi objektivin që ka në Premier League.
“Nuk mund të isha më i lumtur për faktin që erdha këtu. Çfarë mund të premtoj? Pasion, pasion për këtë klub. Është një privilegj për një trajner kur nënshkruan me një klub dhe ndjen lumturi. Këto nuk janë fjalë që po i them për momentin, ose sepse jam trajner i Tottenham, por janë fjalë që i kam thënë edhe kur kemi qenë rivalë. E kam thënë që të luash kundër Tottenham, ishte diçka e vështirë dhe e bukur. Gjithmonë vija në stadiumin e Tottenhamit me respekt të madh.
Gjithmonë e kam vlerësuar këtë klub, potencialin që ka. Më pëlqen shumë kjo skuadër, akademia që ka. Nuk ka asnjë trajner në botë që nuk i pëlqen lojtarët. Akademia e Tottenham gjithmonë nxjerr talente dhe po pres me padurim të punoj me këto talente këtu.
Stadiumi i ri i Tottenham? Më i miri në botë, ndoshta krahasohet me disa stadiume në Amerikë, por në Europë është i pakrahasueshëm. Të gjithë që jemi të përfshirë me Tottenham duhet të jemi krenarë për këtë stadium që kemi.
E dimë ku renditemi, por nuk bëjmë pjesë aty. Duam të fitojmë ndeshjen e radhës, ndeshjen e radhës, deri në ndeshjen e fundit. Në fund të sezonit, do të shikojmë ku jemi. Jam i bindur që do të jemi në pozita ndryshe në fund të sezonit”, përfundoi Mourinho.