Nga Ardit Rada
Kriza energjitike tashmë është shtruar këmbëkryq në gjithë Europën, por edhe më gjerë në nivel botëror. Çmimet e energjisë elektrike kanë arritur nivele të paimagjinueshme më parë, mbi 400 euro për megavator dhe nuk duket ndonjë tendencë për rënien e tyre.
Në mesin e muajit gusht çmimi i energjisë ka arritur në 457 në profilin e ngarkesës mesatare dhe 466 euro në profilin e ngarkesës së lartë në bursën hungareze, të cilës i referohet për blerje KESH. Dhe sigurisht që përfundimi i sezonit të nxehtë dhe ardhja e dimrit pritet të vijojë me këtë trend, sa kohë që edhe konsumi i energjisë për familjarët, por edhe bizneset pritet të rritet.
Sipas bursës hungareze HUPX, energjia për muajin shtator ka çmimin 492 Euro për megavator. Në këto kushte alarmi i ekspertëve të fushës lidhet me pamundësinë për të gjetur energji në tregjet ndërkombëtare në muajt në vazhdim, çka ka bërë që shumë vende europiane të rishikojnë politikat e tyre për prodhimin e enegjisë, politika të cilat vitet e fundit ishin ndikuar ndjeshëm nga masat për mbrojtjen e mjedisit.
Kështu për shembull Franca ka njoftuar në korrik rivendosjen në punë të centralit me qymyr në Saint Avold, si masë sigurie për përballimin e dimrit, Hollanda ka hequr përkohësisht kuotat e karbonit, me qëllim shtimin e prodhimit nga centralet e qymyrit, Austria ka vendosur transformimin e një termocentrali me lëndë djegëse qymyrin, me qëllim shtimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë, ndërsa Gjermania dhe Rumania kanë riaktivizuar disa impiante qymyri, që ishin mbyllur më herët.
Nga ana e saj Qeveria Shqiptare ka vendosur të ruajë të të pandryshuar çmimin e shitjes së energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla. Referuar të dhënave të institucioneve përkatëse, vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2022 konsumi i energjisë në vend ka arritur shifrën e 5.5 milionë megavatorët, prej të cilës rreth 2/3 janë prodhuar nga KESH dhe pjesa tjetër është blerë në bursë. Qeveria ka parashikuar në buxhetin e vitit 2022 një fond prej 20 miliardë lekësh për sigurimin e energjisë elektrike.
Por në kushtet kur energjia pritet, jo thjesht të shtrenjtohet, por edhe më keq akoma, të mos gjendet në treg, a janë të mjaftueshme masat e mbrojtjes së popullatës nga rritja e çmimit dhe vënia në dispozicion e shumave të konsiderueshmë për blerjen e saj. Duket qartë se në këto kushte është e domosdoshme gjetja e mekanizmave shtesë për të siguruar prodhim të energjisë elektrike.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar se projektet e saj madhore për rritjen e prodhimit të energjisë në vend janë HEC Skavica, që do të ndërtohet nga kompania e njohur amerikane, Bechtel, parqet fotovoltaike të Karavastasë dhe Spitallës, që po ndërtohen nga kompania franceze Voltalia dhe projekti për transformimin e TEC Vlores në një terminal LNG. Ndërkohë një garë ndërkombëtare është duke u zhvilluar për ndërtimin e parqeve të erës për prodhimin e energjisë. Por të gjitha këto projekte duket se kërkojnë kohë dhe nuk mund t’i vijnë në ndihmë vendit në dimrin që po afron.
Ndërkohë dy anijet që konsiderohen si TEC-e të lundrueshëm dhe që pritet të instalohen në Triport të Vlorës, kanë një kapacitet 114 megavat dhe nga prodhimi i tyre pritet të ketë një zbutje të konsiderueshme të nevojës për import. Një shoqatë ambjentaliste e ka kundërshtuar fort instalimin e këtyre anijeve në gjirin e Vlorës, por MIE ka siguruar se anijet kanë çertifikatat e sigurisë së Bankës Botërore dhe ato janë tërësisht brenda standardeve europiane.
Edhe pjesa tjetër e projekteve për rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë lidhen me gazin, përmes bashkëpunimit me kompanitë ametrikane Exclerate dhe Exxon Mobil, çka sërish mund të sjellë reagimin e ambjentalistëve, që jo rrallë perdoren nga forcat të ndryshme politike.
Konflikti mes ambjentalistëve dhe industrisë është një konflikt i kahershëm, i përbotshëm dhe me shumë gjasë i përjetshëm, por në kushtet e kësaj krize të rëndë ndërkombëtare, kur e gjithë bota po përpiqet të mbijetojë përballë një dimri që po vjen me shumë pasiguri, duket se Shqipëria nuk mund të dalë nga rreshti dhe as të përpiqet të mbijetojë e vetme. Mungesa e energjisë mund të rezultojë fatale për të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë në vend, ndaj Qeverisë i duhet të jetë e sigurt dhe e vendosur në vendimmarrje për të siguruar burime të reja energjie. Sigurisht dhe mbi të gjitha, transparente me publikun.