Sport “Mungesë respekti”, Thiago Silva i kthehet trajnerit serb: E more vesh kush...

“Mungesë respekti”, Thiago Silva i kthehet trajnerit serb: E more vesh kush jemi ne?

Brazili fitoi 2-0 ndeshjen e parë në Botërorin e Katarit. Richarlison ndëshkoi dy herë kombëtaren serbe dhe i dhuroi pesë herë kampionëve të botës tri pikët e para në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit.

Kapiteni i Brazilit, Thiago Silva priti fundin e ndeshjes për t’i dhënë një përgjigje trajnerit të Serbisë, i cili nuk i kurseu thumbimet për mbrojtjen e Brazilit përpara fillimit të sfidës.

“Brazili është me fat që ka katër sulmues, por çfarë të themi për mbrojtjen? A kanë ata njerëz që do luajnë në mbrojtje?”, deklaroi Dragan Stojkovic.

Thiago Silva është prej vitesh një nga mbrojtësit më të fortë. Atij nuk i pëlqen të përfshihet në polemika, por është i pari që reagon dhe merr në mbrojtje shokët e ekipit kur këta të fundit provokohen.

“Si mund ta vendosë në dyshim trajneri i Serbisë mbrojtjen tonë?! Si mund të flasë sikur nuk kemi mbrojtje?! Ishte një mungesë e pastër respekti. Unë, Marquinhos, Alisson, Danilo, Alex Sandro dhe Casemiro kemi një histori pas nesh.

Ai duhet të informohet më shumë përpara se të flasë”, deklaroi 38-vjeçari, i cili ndaj Serbisë regjistroi ndeshjen numër 110 me fanellën e kombëtares seleçao, ndërkohë që po luan Botërorin e katërt në karrierë.

Brazili fitoi dhe mbajti të paprekur portën, teksa në 12 ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm dy gola: një kundër Ekuadorit në eliminatoret e Kupës së Botës dhe një tjetër në miqësoren e fituar 4-1 kundër Tunizisë.