Ish-kreu demokrat Lulzim Basha ka sqaruar para gazetarëve mungesën e tij në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar demokrat.
Në një deklaratë para sallës së parlamentit, Basha theksoi se ka hequr dorë nga kreu i PD-së, por jo nga përgjegjësia që ai ka ndaj demokratëve. Ai tha se do të vazhdojë që të punojë përditë deri në rikthimin e PD-së në një alternativë shprese për njerëzit.
“Nuk mund të heq dorë nga përgjegjësia ime ndaj demokratëve e shqiptarëve. Unë do të punoj përditë që PD të kthehet në shpresë e alternativë e shpresë për njerëzit”.
Basha theksoi se mungoi në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar për shkak se rrezikonte që të degradonte në konfrontim, ndërsa shtoi se do të marrë pjesë sa herë që t’i shërbejë PD-së dhe jo presionit.
“Do të marr pjesë sa herë t’i shërbej grupi parlamentar të PD dhe jo presionit të drejtpërdrejt e indirekt. Një nga arsyet e aktit tim ka qenë tejkalimi i interesave personale për t’u dhënë mundësi forumeve dhe demokratëve për të vendosur lirisht dhe jo nën presion. Prandaj sot vendosa që të mos isha i pranishëm në mbledhje që kishte gjasa të degradonte në konfrontim dhe jo në mbledhje të frytshme për të cilën ka nevojë grupi PD”.
I pyetur për rikthimin e Berishës në grup ai tha: “Unë do të bëj gjithçka që PD të bashkohet në vlerat për të cilat është krijuar dhe një prej tyre është orientimi euroatlantik. E kam të qartë rrugën që duhet të përshkojë PD për t’u kthyer në alternativë për njerëzit dhe do punoj pa reshtur në këtë rrugë. Ujërat mund të jenë akoma të turbullta, por do të qartësohen”.