Ndërsa mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane po hyn në muajin e dytë, asnjëra palë nuk ka siguri për pasojat politike afatgjata.
Sondazhet e opinionit tregojnë se një numër më i madh amerikanësh ia hedhin fajin Presidentit Donald Trump sesa demokratëve të opozitës.
Madje, për disa nga ligjvënësit e opozitës, sfida e tanishme po shërben si platformë e mundshme për betejën presidenciale të 2020s.
Megjithatë, sa më shumë zgjat mbyllja e qeverisë, aq më i pasigurt është ndikimi i saj politik afatgjatë.
“Trump po humbet, Kongresi po humbet, dhe sigurisht edhe punonjësit federalë, të cilët janë pa pagesë, po humbasin”, thotë Jim Kessler i organizatës së qendrës së majtë “Rruga e Tretë” në Uashington.
Mur ose asgjë
Presidenti Trump mbetet i vendosur për financimin e një muri përgjatë kufirit jugor, një premtim kyç i fushatës së tij të vitit 2016. “Unë shpresoj që Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi të kuptojë atë që të gjithë e dinë. Cilido e kupton se muret funksionojnë, na duhen mure”, u tha Presidenti Trump gazetarëve të shtunën e kaluar.
Nga ana e tyre, demokratët mbeten të vendosur kundër financimit të murit, duke përfshirë udhëheqësin e tyre në Senat, Chuck Schumer:
“Ne duam që simboli i Amerikës të mbetet Statuja e Lirisë, liria, barazia dhe jo një mur ndarës. Dhe ne do të luftojmë për këtë. Do të luftojmë.”
Të enjten, Senati voton mbi dy propozime konkurruese për t’i dhënë fund mbylljes, një propozim nga Shtëpia e Bardhë dhe republikanët, tjetri nga demokratët. Deri tani, asnjë propozim nuk pritet të sigurojë 60 votat e Senatit të nevojshme për të kaluar, edhe pse disa politikanë në të dyja partitë i shohin votimet si një hap të mundshëm fillestar drejt negociatave më serioze.
Punëtorët dëmtohen
Ndërkohë, ata që e pësojnë janë punonjësit e qeverisë që, ose po rrinë në shtëpi, ose po punojnë pa pagesë.
“Agjentët e FBI-së nuk ka pse të shkojnë e të kërkojnë punë nëpër supermarkete pasi nuk mund t’i ushqejnë dot familjet me punën që bëjnë në qeveri”, thotë Tom O’Connor, president i Shoqatës së Agjentëve të FBI-së.
Roli i publikut
Disa sondazhe të fundit ngarkojnë me më shumë përgjegjësi për mbylljen e qeverisë zotin Trump, se sa të tjerët, thotë John Fortier, analist në Qendrën e Politikave Dypartiake në Uashington.
“Sondazhet e opinionit, mendoj, janë më shumë kundër presidentit sesa kundër demokratëve”, tha Fortier. “Mbështetja për të në anketa ka rënë, por shumë pak. Mendoj se të dyja palët e ndjejnë se baza e tyre politike është dakord në parim me këto dallime dhe kjo e bën zgjidhjen shumë më të vështirë”.
Një sondazh i ri të mërkurën nga organizatat Morning Consult dhe POLITICO tregon se 54 përqind e të pyeturve fajësojnë Presidentin Trump dhe republikanët e Kongresit për mbylljen, ndërsa 35 përqind demokratët.
Sondazhi zbulon gjithashtu se miratimi për presidentin ka rënë në 40 për qind, me 57 për qind e të pyeturve që nuk e miratojnë punën e tij. Kjo është përqindja më e lartë e votuesve në këtë sondazh që tregon mosmiratim për zotin Trump që nga që nga inaugurimi i tij si president.
Një sondazh i ri i Televizionit CBS gjithashtu zbulon se me një diferencë prej 71 kundrejt 28 përqind, votuesit besojnë se beteja për ndërtimin e një muri kufitar nuk e vlen mbylljen e qeverinë.
Asnjëra palë nuk heq dorë
Nëse merr parasysh sondazhet, demokratët duken të unifikuar për ta sfiduar presidentin, thotë Jim Kessler:
“Demokratët nuk kanë asnjë dëshirë të financojnë një premtim të fushatës së zotit Trump, kur ai tha se Meksika do të paguante për murin, prandaj tani jemi të kapur në një duel dhe dikush do të duhet të hapë rrugë ose të gjejë një mënyrë krijuese”.
Shumë analistë besojnë se Trump e sheh realizimin e premtimit të tij për murin si element kryesor në fushatën e tij të rizgjedhjes për vitin 2020.
“Është e vështirë të shihet se si do të përfundojë, por duhet të përfundojë”, thotë eksperti i Universitetit të Virxhinias, Larry Sabato. “Të dyja palët do të duhet të japin diçka. Se çfarë do të japin, kjo tani është thjesht një pikëpyetje.”/VOA