Një murale e veçantë po krijohet në godinën e Radio Televizionit Shqiptar në kujtim të këngëtares së muzikës shqiptare, Vaçe Zela, e cila ndërroi jetë më 6 shkurt 2014.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna për krijimin e murales nga artisti Maximiliano Debasko.
Artisti me famë ndërkombëtare, Maximiliano Debasko ka realizuar në Tiranë edhe muralen e shkrimtarit Ismail Kadare, ndërsa një vit më parë pikturoi portretin e yllit të futbollit ndërkombëtar, Lionel Mesi.
Iniciativa për këtë murale vjen në kuadër të “Mural Fest Tirana”, një projekt nën drejtimin e artistit të njohur Helidon Haliti.
Haliti tha për mediet se ideja për të përjetësuar Vaçe Zelën në këtë mënyrë lindi nga dëshira për të nderuar një nga ikonat më të mëdha të kulturës shqiptare, që la një gjurmë të pashlyeshme në muzikën e vendit.