Lazio rrit ofertën për Vedat Muriqin dhe lajmet që vinë nga Turqia për një mbyllje me sukses të operacionit janë shpresëdhënëse. Drejtori sportiv i bardhekaltërve Igli Tare e ka rritur në plot 18 milionë euro ofertën për bomberin e përfaqësueses së Kosovës dhe tashmë diferenca me 20 milionë eurot që synon Fenerbahce nga shitja e futbollistit është vetëm 2 milionë euro. Nga sa mësohet drejtuesit e klubit nga Stambolli mund të ulin disi pretendimet e tyre dhe marrëveshja mund të arrihet gjatë orëve të ardhshme, me Muriqin që po pret me padurim të zbarkojë në Romë për të hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
26-vjeçari nuk është grumbulluar as nga përfaqësuesja e Kosovës për dy sfidat e muajit shtator në Nations League, pasi trajneri Bernard Challandes i ka dhënë mundësinë Muriqit të zgjidhë sa më shpejt çështjen e transferimit të tij te Lazio, aty ku do të formonte një dyshe të frikshme në sulm me Ciro Imobbilen. Verdhezinjtë nga Stambolli e blenë një vit më parë për 3,5 milion euro nga Rizespor ndërsa tashmë synojnë të përfitojnë 5 herë më shumë nga shitja e tij. Në sezonin e tij të parë me skuadrën nga Stambolli, ish-sulmuesi i Teutës dhe Besës në Superiore arriti të realizonte 17 gola, 15 në Superligën turke dhe 2 në Kupën e Turqisë.