Vedat Muriqi, në një intervistë për SuperSport tregoi emocionet e barazimit me Danimarkën si dhe përcolli optimizëm për ecurinë e Kosovës në eliminatorët e Europianit. Sulmuesi shtatlartë tregoi edhe pikat e dobëta të Turqisë para sfidës së “Loro Boriçit” me Shqipërinë.
Besoj keni fjetur mirë pas një rezultati pozitiv me Danimarkën?
Pas lojërave të tilla nuk mund të bësh gjumë të rehatshëm. Më ka zënë gjumi vonë, tani do të shohim çfarë do të bëjmë deri të hënën.
Kishit si kundërshtarë dy mbrojtës shumë të fortë si Christiansen dhe Andersen, duhet të ndiheni i lodhur…
Janë lojtarë të nivelit të lartë, mjafton të shohim ekipet ku luajnë. Edhe ne u treguam se çfarë ishim të aftë të bënim. Trajneri i tyre pat deklaruar se do të ishte thjesht një ndeshje stërvitore, por në të vërtetë nuk rezultoi e tillë. Besoj se edhe ai është mahnitur me lojën tonë.
Me atë që treguam ndaj Danimarkës, mund të themi se do ta përballojmë me sukses Bullgarinë?
Jam shumë optimist, sepse kemi një ekip shumë të mirë dhe kompakt, kemi lojtarë në formë. Bullgarisë i mungojnë dy lojtarë titullarë, kështu që i dimë mangësitë e tyre. Besoj se të hënën kemi për ta gëzuar Kosovën.
Kemi kundërshtarë të tjerë shumë të fortë në grup si Anglinë, Çekinë… Ku e sheh Kosovën në fund të eliminatoreve?
Ne jemi shumë optimistë, edhe pse do të luajmë me Anglinë, Çekinë apo Malin e Zi. Këtu, në Kosovë, ne pretendojmë t’i marrim pikët e plota, madje edhe me Anglinë. Kemi tifozeri shumë të zjarrtë.
Po tregoni një formë shumë të mirë edhe te Rizespori, 11 gola 7 asistime…
Kam 5-6 vite në Turqi, jam përshtatur. Po kalojmë një sezon shumë të mirë, jam i kënaqur me formën dhe shpresoj të vijoj me këtë formë në 8 ndeshjet e mbetura të kampionatit.
Shqipëria përballet sonte me Turqinë, si e shihni këtë sfidë?
Morali te Turqia me ndryshimin e trajnerit është i lartë, sepse Senol Gunes i njeh mirë të gjithë lojtarët dhe cilësitë e tyre. Edhe lojtarët e njohin shumë mirë atë, sepse ka shumë vite që punon në futbollin turk. Besoj se kanë gjetur harmoninë në skuadër, por e keni edhe një problem, pasi nuk kanë zgjedhur presidentit e federatës. Besoj se edhe Shqipëria ka gjasa të mëdha për të fituar, por ka nevojë për përkrahjen e tifozëve. Shpresoj të fitojë Shqipëria.
Cila është pika e dobët e Turqisë?
Me sa di unë, nga lista e të grumbulluarve vetëm 4-5 lojtarë janë me eksperiencë në kombëtarë, të tjerët janë të gjithë të rinj. Nëse Turqia luan me formacion të ri, pa shumë eksperiencë, mund të jetë në favor të Shqipërisë.