Nuk ka zgjatur më shumë se 40 minuta takimi i sotëm i Këshillit Politik, ku i pranishëm ishte kryeministri Edi Rama, por mungonte opozita jashtë parlamentit.
Rudina Hajdari u shpreh pas takimit se ka pasur një debat me kryeministrin Rama për hapjen e listave, për të cilat deputetja theksoi se opozita në parlament kërkon hapje 100% të listave.
“Patëm një debat me kryeministrin sepse opozita parlamentare erdhi pas një konference kryetarësh duke dhënë dakordësi për të futur jashtë rendit të ditës marrëveshjen e 5 qershorit në seancën e së enjtes. 5 anëtarët e opozitës parlamentare treguan dakordësi duke mos dalë kundër, vetëm për këtë fakt opozita parlamentare duhet të ishte sot në këtë tryezë. Ne patëm debat, pasi duhet kuptuar se ne e kemi shumë të qartë se pse jemi në këtë tryezë, ne duam të hapim listat 100%. Duhet patjetër që opozita parlamentare dhe çdokush tjetër që ka kërkuar listat e hapura duhet të vazhdojë drejt këtij synimi”, u shpreh Hajdari.
Murrizi: “5 qershorin” e votojmë, por me një kusht
Myslim Murrizi, kryetari i grupit demokrat, u shpreh se ai dhe deputetët që përfaqëson do ta votonin marrëveshjen e 5 qershorit vetëm nëse do të bindeshin që më 30 korrik do të votoheshin ndryshimet në kodin zgjedhor dhe në kodin e procedurës penale.
“Nuk pati debate. Teknicienët u shprehën për çfarë i kishim pyetur. Ekspertët thanë se edhe nëse në datë 30 votohen ndryshimet kushtetuese, nuk preket asgjë nga marrëveshja e famshme e 5 qershorit. Nuk shoh ndonjë gjë se pse opozita nuk vjen në këtë tryeze. Çfarë kanë? Mbase mbështesim versionin e tyre.
E vetmja nismë ligjore që ka deformuar demokracinë në Shqipëri, më shumë se sa sistemin zgjedhor, është 21 prilli i 2008-ës, ku shqiptarëve u është mohuar e drejta e zgjedhjes me vonë. Çdo sistem tjetër e rregullon sistemin.
Grupi jonë është shprehur që nuk e voton marrëveshjen e 5 qershorit, por do të ndryshojmë mendje vetëm nëse na mbushin mendjen për ndryshimet në kodin zgjedhor, në kodin e procedurës penale. Shitblerja e votës, marrja e kartave, nuk frenohen në kodin zgjedhor, duhen një sërë ndërhyrjesh. Hajde të bisedojmë, një mendje ne, dy ata, një këta të tjerët se vëllezër janë. Mos i shihni si serioze komunikimet me e-mail, pasi nëse i vëzhgoni sado pak, darkave janë bashkë, ndërsa vetëm orari i gjumit i ndan”, u shpreh Murrizi pas takimit të sotëm të Këshillit Politik, ku i pranishëm ishte Rama, por mungoi opozita jashtë parlamentit.