Mustafa Nano, ndërsa ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për kandidimin e tij në Vlorë e Durrës në zgjedhjet e 25 prillit, duke folur për Mcn TV, ka një mendim ndryshe.
Nano tha se do të dëshironte që kryetari i Partisë Socialiste të kandidonte në Shkodër për shkak edhe të marrëdhënies pak të vështirë që kjo parti ka pasur me këtë qytet.
“Unë do të doja që kryetari i Partisë Socialiste, përtej emrit Edi Rama të kandidonte në Shkodër, se marrëdhënia këtij qyteti me PS ka qenë pak e vështirë.
Do të doja këtë kandidim, ashtu siç do të doja që edhe kryetari i PD të kandidonte në Korçë ose Vlorë, edhe kjo për të njëjtën marrëdhënie që kjo parti ka me këto qytete.
Zgjedhjet që ka bërë Rama janë të thjeshta, zgjedhje që nuk do të dilte asnjëherë i humbur. As në Shkodër nuk do humbiste gjithsesi.
Mendoj se nuk ka as pse të kandidoj në disa vende edhe pse ligji e lejon, ai mund të kandidojë vetëm në një qark”, u shpreh Nano.
Mustafa Nano thotë ndërkohë se ambasadorja amerikane nuk mund të gjykojë për kandidatë si Tom Doshi, sikur të ishte Kushtetuta shqiptare.
Nano tha se përsa kohë ndaj Doshit nuk ka një vendim gjykate, që e bën të papërshtatshëm për kandidim, atëherë ambasadorët nuk kanë pse ndërhyjnë.
“Kjo është një situatë e çuditshme në dijeninë time, biografia e Tom Doshit është e pastër. Ambasadorja flet në bazë të informacioneve, madje jam i prirur të besoj se ai informacion është i saktë.
Gjithsesi, ajo nuk është Kushtetuta. Unë nuk e dua Tom Doshin në parlament për arsye të tjera, sepse nuk është intelektual aq sa duhet, por jo sepse ai ka abuzuar ose është i korruptuar.
Gjykata s’na ka thënë se Tom Doshi është i komplikuar. Ambasadorët nuk duhet të mbërrijnë në këto nivele”, tha Nano.