Monologu i kësaj të premteje i Mustafa Nanos u fokusua te industria basteve dhe mbyllja e tyre. Në këndvështrimin e tij Nano shprehet se vazhdon t’i qëndrojë idesë së tij kundër mbylljes së tyre. Nano shpjegon tri arsyet pse mbyllja e tyre ishte gabuar, e padrejtë dhe e vështirë për t’u zbatuar. Ai i bën apel kryeministrit Rama që ta rikthejë këtë industri në mënyrë të disiplinuar.
Monologu i Mustafa Nanos:
Përpara disa kohësh kur morën vendimin për të ndalur industrinë e basteve në Shqipëri pati një lloj entuziazmi në Shqipëri që ndoshta vazhdon akoma. Unë e kam treguar se kam qenë kundër këtij vendimi. Unë e di që qëndrimi im është kontrovers dhe i diskutueshëm, por vazhdoj t’i qëndroj atij mendimi që kam pasur. Vazhdoj t’i qëndroj edhe ca më shumë idesë që ai vendim ishte i padrejtë, i gabuar dhe i pamundur për t’u vënë në jetë dhe për t’u zbatuar.
I padrejtë– Se mendoj që shteti nuk ka të asnjë të drejtë të marrë rolin e gardianit moral, policit moral. Shteti nuk e ka këtë të drejtë, janë njerëzit vetë që janë përgjegjës për jetët e tyre dhe vendimet që marrin. Shteti mund të ndërmarrë fushata sensibilizuese, të demonizojë aktivitete humane, por nuk ka të drejtë që t’i ndalojë këto gjëra. Kjo është në parim në princip për të gjithë ata që besojnë te principet liberale.
I gabuar – Se në atë moment ishte një industri e caktuar, që ishin të punësuar me mijëra vetë mbi 50 mijë vetë që paguanin taksa e sigurime shoqërore dhe që atëherë ne kemi mijëra të rinj që janë ende rrugëve, nëse nuk kanë marrë rrugë të tjera apo azil politik në Francë, në Francën e Makronit. U zhbë një lloj industrie e caktuar pa menduar impaktin ekonomik që do kishte ai vendim.
I pamundur për t’u zbatuar– Është provuar se bastet vazhdojnë dhe sot e kësaj dite se nuk mund të ndodhte ndryshe se aktivitete të tilla nuk bllokohen me mjete policore. Kemi të njëjtën industri të bastit e bixhozit që funksionon në mënyrë ilegale. Kjo industri nuk paguan taksa e nuk ka të punësuar njerëz, vetëm se ka të njëjtën sasi parash që qarkullon në funksion të kësaj industrie.
Unë mendoj se kryeministri Rama duhet ta rishikojë këtë vendim. Ka pasur nevojë për disiplinim të kësaj industrie, por mendoj që duhet lënë të funksionojë normalisht, gjithmonë duke e disiplinuar. unë shpresoj që shumë shpejt bastet të rikthehen, por në mënyrë të disiplinuar.