Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, solli sot në vëmendje 29 janarin e vitit 1846, datë kur lindi Myfit bej Libohova, personi që ka propozuar emrin e monedhës shqiptar-Lek, gjatë kohës që ushtronte detyrën e ministrit të Financave.
Libohova, delegati i Kuvendit të Vlorës, shërbeu si ekonomist, diplomat dhe politikan.
Në vitet 1913-1927, mbajti poste të ndryshme qeveritare.
Ka qenë kryeministër i Shqipërisë në një periudhe të shkurtër gjatë viteve 1913–1914.
Qe titullar i Ministrisë së Drejtësisë, i Ministrisë së Brendshme, së Ministrisë së Financave dhe i Ministrisë së Kulturës.
Gjithashtu ishte themelues i Bankës së Shqipërisë.
Ka lënë një numër veprash me përmbajtje historike e juridike.
Ishte mbështetës i fortë i Zogut dhe ndihmoi në rrëzimin e qeverisë së Fan Nolit, disa muaj pas Revolucionit të Qershorit. Libohova konsiderohet si “pagëzuesi” i lekut shqiptar, pasi propozoi emrin e valutës dhe ushtronte asokohe detyrën e ministrit të Financave. Libohova ka qenë gjithashtu anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), një institucion i përkohshëm që prej dorëheqjes së Ismail Qemalit.
Arkivat kanë postuar sot edhe faksimilen e njoftimit të caktimit të Libohovës si anëtar i KNK-së, si edhe urimet për këtë zhvillim.