Kur të shënojë gol për Kombëtaren shqiptare, Myrto Uzuni me siguri do të heqë fanellën dhe do të tregojë para kamerave tatuazhin e shqiponjës në kraharor, të cilin sapo e ka bërë.
Ka shpenzuar 800 euro për këtë tatuazh dhe ka duruar katër orë që ai të bëhej. Simbolika e tatuazhit kuptohet që lidhet me atë të flamurit kombëtar, edhe pse në fakt nuk është një shqiponjë dykrenare. Sulmuesi beratas, që aktivizohet me Ferencvaroshin në Hungari, është kthyer në Shqipëri këto ditë pushimesh dhe duket se ka vendosur t’i kushtojë pak më shumë kohë vetes.
Futbollistët në mbarë botën janë të fiksuar me tatuazhet dhe e njëjta gjë ndodh edhe me kuqezinjtë e Kombëtares. Ai që ka më shumë tatuazhe në trup është Elseid Hysaj, ndërsa tani duket se e ka marrë seriozisht këtë punë edhe Uzuni.
Gjithsesi, tatuazhet janë një çështje personale dhe tifozët e Kombëtares janë më shumë të interesuar për të parë golat e Uzunit me fanellën kuqezi.