Nga Dritan Hila
Në artikulimin e opozitës sot, i mëshohet faktit që Rama ka uzurpuar gjithë pushtetet. Në fakt ka nja tre më pak se Berisha dikur, dhe janë Presidenca, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Banka Qendrore. (Nuk po citojmë Avokatin e Popullit që e ka sot opozita dhe dikur e kishte Rama, pavarësisht se Iglit i kemi harruar emrin).
As Gjykata Kushtetuese nuk është nën kontrollin e tij të plotë. Ndaj do ishte etike që ky argument mos përmendej. Por këto janë vetëm aksesorë. Më e rënda është që presidenca e ka humbur tërësisht paanësinë.
Nëse deri dje të majtët ankoheshin nga sjellja e Z. Nishani i cili pavarësisht përkatësisë partiake, diti të ruante institucionalitetin e asaj që përfaqësonte brenda kornizave ligjore, Meta nuk po kujdeset aspak.
Tashmë i vetëdijshëm se bashkëshortja e tij dhe Tit Vasili nuk janë në gjendje të ndalojnë errozionin që po pëson baza e LSI-së; i bindur se grupimi i tij nuk është punë ideologjish por kontratash personale me udhëheqësin, Ilir Meta ka zbritur vetë në fushë.
Dhe nuk ka bërë keq, nëse e gjykojmë nga interesi partiak. Madje kot presim që ai të sillet si president. Historikisht, qoftë kur kishte poste partiake, qoftë kur kishte poste shtetërore, ai ka qenë i tillë që mendonte për pozicionimin e mbështetësve të tij. Asnjëherë Meta nuk ka menduar si shtetar. Është partiak klasik. Dhe nuk i ka dalë keq.
Prania e tij në zgjedhjet e 2017-ës, pavarësisht se kishte mandatin e presidentit të zgjedhur, bëri që të përballonte presionin e madh të dy partive madje të rritej. Arsyet e rritjes janë fluide nga zgjedhja në zgjedhje dhe kjo falë nuhatjes së tij. Vetëm se këtë rradhë e ka keq.
Tani do jetë fitore nëse argjinon rrjedhjet dhe mban basenin e votave të tija në nivelin e 80 mijëve. Por duke qarë hallet e LSI-së, është harruar kush qan hallet e popullit. Dhe Ilir Meta është vënë aty që të ruajë ekuilibret e pushteteve. Aq më shumë në një kohë të tillë mungese pushtetesh.
Por ai e ka ndarë mendjen, dhe politikisht, duke parë hallin e tij, ka të drejtë. Dhe nga ky zhbalancim nuk do t’i hyjë ferrë në këmbë. Vetëm se pushtetit të ri që do dalë nga zgjedhjet e 25 prillit i duhet të ndajë mendjen çfarë do bëjë me atë institucion.
Rama nëse do ta mbajë kështu siç është, duhet të zgjedhë një njeri politik dhe jo produkt pazaresh. Ndërsa nëse fiton Basha, ta lerë premtimin bosh të kufizimit në dy mandate të kryeministrit por të premtojë një president qe zgjidhet nga populli.
Një minë qarkulluese me fitil të ndezur në pallatin e presidencës, që herë premton revolucione e protesta e herë luftë gjelash me kryeministrin, është e tepërt për një shtet 109-vjeçar në shekullin XXI./dritare.net