Vrasja e shqiptares Suela Saliaj ka tronditur mbarë komunitetin shqiptar në SHBA e Shqipëri. 32-vjeçarja u vra nga ish-partneri i saj Renato Muhaj të hënën, në Largo të Floridas.
Shkaqet e ngjarjes së rëndë nuk dihen ende, ndërsa 34-vjeçari Muhaj akuzohet jo vetëm për vrasjen e saj, por edhe për rrëmbimin e vajzës 8-vjeçare që kishte lindur nga marrëdhënia e tyre, si dhe për dhunë ndaj saj dhe prindërve të tij.
Pas ngjarjes së rëndë, familjarë të së ndjerës kanë organizuar një fushatë në faqen e donacioneve GoFundMe, me qëllim mbledhjen e të ardhurave për varrimin e Suelës dhe për të mbështetur vajzën 8-vjeçare, e cila humbi të dy prindërit në të njëjtën ditë.
“Faleminderit të gjithë për mesazhet dhe mbështetjen tuaj. Familja jonë është në zi dhe e kemi të pamundur të pranojmë apo besojmë lajmin për ikjen e papritur të Suelës. Na mungon shumë. Nuk do arrijmë dot të jemi të njëjtët njerëz pa Suelën. Vajza e saj është me njerëzit e saj më të dashur dhe po përpiqemi t’i japim ndihmën e duhur dhe të vazhdueshme për të cilën ajo ka nevojë. Suela ishte një vajzë shembull dhe e dashur për të gjithë ata që e kanë njohur. Ëndrrat dhe planet e saj ishin të mëdha, por fatkeqësisht u prenë në mes. Duam që çdo gjë që ajo ka dëshiruar apo ka pasur në planet e saj, ta realizojmë me vajzën e saj të vogël.
Suela je gjithmonë në zemrat tona. Asnjë nuk meriton fatin tënd. Ti ishe një vajze kinge dhe e pavarur. Çdo sfidë në rrugën tënde e ke fituar me sukses. Sa shumë njerëz të duan e shkruajnë për ty! Na fal që nuk të shpëtuam dot në kohë. Je shpirti jonë! Te duam përgjithmonë! Shpirti jot u prehtë në paqe!”, shkruan e afërmja e së ndjerës në rrjetet sociale, bashkëngjitur linkut të faqes GoFundMe.
Ndërkohë, Renato Muhaj doli para gjykatës ku u njoh me 8 akuzat e ngritura në drejtim të tij dhe iu mohua e drejta për të kërkuar liri nëpërmjet garancisë pasurore. Ai nuk shfaqi asnjë lloj emocioni në sallë të gjyqit.