Nga ambientet e jashtme të Gjykatës së Posaçme ku u paraqit për verifikim të masës së sigurisë në dosjen “Meta”, Monika Kryemadhi u pyet nga gazetarët edhe për gjendjen e saj shëndetësore.
Kryemadhi u vendos përballë faktit se si argument për caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj saj, prokurori i çështjes ka marrë si rrethanë lehtësuese faktin se ajo gjatë kohës së hetimit ka qenë në trajtim mjekësor.
Por, ish-kryetarja e LSI, e cila akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash e mohoi këtë pretendim të organit të akuzës, duke shpjeguar edhe historikun e operacioneve të saj.
Kryemadhi zbuloi se ajo ka kryer ndërhyrje për shkak të kancerit në qafën e mitrës dhe prej 2019 ndiqet nga mjekët në spitalin shtetëror të San Marinos.
“Gjatë hetimit unë në trajtim mjekësor? Unë trajtimin mjekësor e kam filluar nga 2013 që jam konstatuar me kancer në qafën e mitrës, deri në vitin 2019 kur kam bërë operacionin final, pasi kam pasur tre ndërhyrje. Në 2019 unë jam operuar dhe kam kaluar një gjendje shumë të vështirë. Normal që kontrollohem çdo vit, bëj analizat kancerogjene që i shoh në organizëm dhe ndiqem nga mjeku. Ndiqem në San Marino që ta dini dhe ndiqem në spitalin shtetëror të San Marinos. Dhe e dyta nuk jam e sëmurë. Ky është një proces që është bërë për t’i mbyllur gojën Ilir Metës, pavarësisht pozicioneve që kam unë”, tha Kryemadhi.
Më tej, Kryemadhi u shpreh se i futën bashkë me Metën në një sallë gjyqi në mënyrë të qëllimshme.
“Nuk flas fare për zotin Meta! Sot ata kanë bërë një provokim të hapur për mua dhe familjen time. Na kanë futur në mënyrën të qëllimshme në një sallë. Kjo shkel të drejtat e individit, asnjë nga ne s’ është i akuzuar, të gjithë jemi të dyshuar. Poshtërsia më e madhe, që ata për të larguar vëmendjen nga gjithë krimi, kërkojnë të bëjnë edhe shoë mediatik, politik e ndoshta emocional.”
Sa i takon hetimit për çështjen e pasurisë, Kryemadhi theksoi se çdo gjë e ka të deklaruar dhe të fituar me mund.
“Edhe xhaketën Michael Kors e kam, vetë e kam blerë. S’kam bileta avioni me mbi 200 mijë euro, unë i kam deklaruar të gjitha. Kam lindur në 1974-ën në Tiranë, nuk erdha në Tiranë në 2010-ën. Të gjitha i kam bërë me forcat e mia. Po të kisha para për të fshehur, nuk do përdorja karta krediti që lënë gjurmë në banka, do përdorja para cash”, deklaroi ajo.