Ish-zv/drejtori i Policisë së Tiranës Erzen Breçani ka treguar të tjera detaje për pengmarrjen e Jan Prengës në mes të Kamzës.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Breçani thotë se në bazë të informacioneve që ka, njëri nga katër personat e arrestuar nga Policia e Shtetit, u ka treguar hetuesve që Jan Prenga ka humbur jetën për shkak të dhunës që rrëmbyesit kanë ushtruar ndaj tij, ndërsa nuk kanë dashur ta vrisnin.
“Për mendimin tim, ky është rrëmbim për motiv pengmarrje. Çdo njeri që kryen pengmarrje ka një arsye, ka një kërkesë. Në dijeninë time, policia që arrin në konkluzion që personi është i vdekur, edhe në bazë të informacioneve që kam, janë pasi kanë kryer arrestimin e personave. Është deklaruar nga një nga këta persona që ‘na ka ngel në dorë, s’ka qenë qëllimi për ta vrarë”, ka thënë ai.
Ish-zyrtari i policisë shprehet se në datën 17 Janar kur dhe u rrëmbye Jan Prenga, në momentet e para policia e ka konsideruar ngjarjen si konflikt çasti dhe nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur.
“Nuk është vlerësuar si duhet. Kanë menduar se mund të jetë një konflikt çasti. Policia është e mirëorganizuar që emri i personit ka një databaze, dhe shikohet a ka konflikte. Jepen targat e makinave, sa persona kanë marrë pjesë dhe këtu duhet të reagojë në kohë policia”, u shpreh Erzen Breçani.
Policia e Shtetit njoftoi sot se Jan Prenga është vrarë nga rrëmbyesit. Sipas uniformave blu, Prenga ka humbur jetën nga dhunimi brenda makinës dhe dyshohet që trupi të jetë groposur. Katër persona janë arrestuar, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Operacioni i policisë u zhvillua në resortin e familjes Hajri në Shijak.