Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një fjalim para deputetëve të Parlamentit Evropian, foli për të gjitha sfidat, si dhe për pasojat që solli lufta në Ukrainë, duke theksuar se uniteti evropian është në provë.
Ajo nënvizoi se në të ardhmen do të duhet të merren vendime të vështira.
Von der Leyen deklaroi se BE-ja e pa se kishte nevojë për të shkuar përtej procesit të zgjerimit, se duhej një komunitet politik, në lidhje me të cilin Komisioni Evropian do të paraqiste idetë e tij në Këshillin e Bashkimit.
Ajo përmendi gjithashtu se rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe vendet e Partneritetit Lindor, janë të rëndësishëm për BE-në.
“Dua që vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, të dinë se janë pjesë e familjes sonë. Bashkimi ynë nuk është i plotë pa ju, ky është mesazhi ynë”, tha Von der Leyen.
Sipas saj, e ardhmja e BE-së varet edhe nga bashkëpunimi me partnerët jashtë Evropës.
“Ka vende që duan të bashkëpunojnë me ne në përballjen me sfida të mëdha”, tha ajo, duke paralajmëruar marrëveshje me disa vende dhe përpjekje për thellimin e bashkëpunimit.
Kryetarja e KE-së theksoi se është e rëndësishme të ruhet dhe të përmirësohet demokracia.
“Për më shumë se 70 vjet kontinenti është në rrugën e demokracisë, të gjithë e dimë dhe e shohim se duhet të luftojmë për demokracinë, duhet të mbrojmë të gjithë nga kërcënimet e jashtme, por edhe nga ato të brendshme. Duhet të vazhdojmë të punojmë për demokracinë, për të përmirësuar jetën e njerëzve. Ne duhet të jemi me të gjithë qytetarët kur ata kanë nevojë, prandaj Konferenca jonë për të Ardhmen e Evropës është e rëndësishme”, tha Von der Leyen.