Mbështetja ndaj biznesit dhe reformat e reja për lehtësimin e barrës fiskale kanë përmirësuar klimën e biznesit, duke nxitur sipërmarrësit e huaj të investojnë në Shqipëri.
Jemi mësuar shpesh të dëgjojmë për shqiptarë që largohen jashtë vendit, për një jetë më të mirë, por sot Shqipëria ka ndryshuar dhe tashmë janë të huajt që po gjejnë veten në vendin tonë, duke investuar dhe ngritur bizneset e tyre.
Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), sjell shembullin e Nadia Giuliani Polverigiani, vajzës së re nga Argjentina që ka udhëtuar nga përtej Atlantikut për të ngritur biznesin e saj në sektorin e shërbimeve në Shqipëri.
“Jam lindur 28 vjet më parë në Argjentinë. Studimet i kam përfunduar në Buenos Aires dhe më pas fillimisht kam punuar si guidë turistike. Ishte kjo koha kur mendoja se më pëlqente shumë të udhëtoja dhe kështu nisa të kërkoja fatin për të punuar në kroçera turistike”- tha ajo në një intervistë për ATSH-në.
Nadia tregon se punoi për gjashtë vjet në kroçera turistike deri në momentin kur nisi pandemia e COVID-19.
“Vitin e kaluar unë u njoha me një djalë shqiptar gjatë një udhëtimi me kroçerë. Për shkak të masave kufizuese gjatë pandemisë, secili prej nesh u detyrua të kthehej në vendin e tij, deri sa ai më kërkoi nëse doja ta vazhdonim lidhjen tonë dhe për këtë të vija në Shqipëri. Kisha lexuar rreth Shqipërisë kur isha në shkollë të mesme dhe e dija se çfarë vendi ishte, por dija shumë pak gjëra rreth stilit të jetesës. Gjithsesi pranova”, tha Nadia.
Mbërrita në Shqipëri, vijoi ajo, tetorin e kaluar, me idenë se do të qëndroja këtu vetëm tre muaj, sipas vizës që kisha. “Por lidhja jonë u forcua dhe kjo më dha mundësinë të qëndroja këtu. Por çështja ishte se çfarë do të bëj këtu?”, vijon Nadia.
“Gjithmonë kam dashur të menaxhoj një bar-kafe timen. Kur isha fëmijë në fakt ëndërroja të isha pronare e një hoteli, por më vonë ambicia ishte të kisha të paktën një restorant dhe në fund një kafene, diçka të vogël, ku të kesh mundësi të punosh çdo ditë vetë. Pasi mendova për pak kohë se çfarë mund të bëja, çfarë mund të sillja në këtë vend, i thashë vetes që mund të sjell diçka nga Argjentina. Kështu ne hapëm lokalin tonë katër muaj më parë dhe ja ku jemi sot”- tha Nadia.
Ajo u shpreh se, në kushtet e pandemisë, hapja e një biznesi është i vështirë kudo në botë, por për mua këtu thotë Nadia, “ishte shumë më e lehtë se sa prisja”.
“Përveç problemit të gjuhës, është shumë bukur të punosh me shqiptarët. Kam ardhur këtu tetë muaj më parë. Shqipëria është në fakt vend shumë i vogël nëse do ta krahasoja me Argjentinën, megjithatë ofron aq shumë gjëra brenda një hapësire aq të vogël. Njerëzit janë shumë mikpritës dhe gjithmonë më pyesin: “Të pëlqen Shqipëria”? Po, më pëlqen shumë. Më pëlqen vërtet të qëndroj këtu. Për momentin po përfundoj dokumentet për pajisjen me lejen e qëndrimit, në fillim për një vit dhe pastaj do t’i rinovoj për të vijuar këtu edhe me biznesin tim”- tha Nadia.
Burimi: ATSH