Projekti më i ri producentit Mura, filmi për heroin kombëtar
Nga Aurora Allushaj
Të gjithë e njohin Nadirin, si iluzionist, producent dhe shkrimtar. Ai ka një karrierë të shkëlqyer jo vetëm në Shqipëri e Itali por tashmë edhe më gjerë. E kontaktuam të na tregojë diçka më shumë për projektin e tij të ri që mban emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Bëhet fjalë për një projekt gjigand, atë që i ka munguar figurës së Skënderbeut, një film me regjisor dhe aktor nga vendi i shqiponjave, në bashkëpunim me producentë, regjisorë dhe aktorë italian. Për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti çdo shqiptar duhet të japë kontributin e tij sepse fondet fillestare nuk janë të mjaftueshme, çdo kush mund të marrë informacione në linkun: https://www.skanderbegthemovie.com/
Nadir Mura bashkë me producentin italian Giulio Gargia, administrator gjeneral i shoqërisë TamTam, kanë marrë guximin të bëjnë një film që i kushtohet jetës së Skenderbeut. Prodhimi do të jetë italo-shqiptar dhe ndihmën për t’ju afruar sa më shumë mitit do e japë gazetari i shquar Virgjil Kule, i cili pas një studimi të gjatë dokumentash, librash, dhe historish të Skënderbeut shkroi librin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i Fundit”, dhe është i vetmi autor i cili pas dhjetë vitesh studim do t’i afrohet shumë herë më shumë personazhit.
Prej vitesh, Nadir Mura ka qenë autori dhe prezantuesi i emisionit Enigma në Digitalb. Tashmë ai ka realizuar në Itali disa dokumentarë me fonde publike. Nadiri e quan një sfidë dhe thotë se vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet filmi kushtuar Skënderbeut. “Ne shqiptarët nuk duhet të presim nga të huajt. Ata nuk kanë për ta bërë kurrë”, -thotë ai.
Si do të realizohet filmi për Skënderbeun? – e pyesim Murën, ndërsa përgjigja e tij vjen e menjëhershme: “Filmi do te realizohet me anë të donacioneve të ndryshme, pra kushdo që ka dëshirë të japë kontributin e tij i gjen të gjitha shpjegimet te linku: https://www.skanderbegthemovie.com/.
Mura thekson se çfarëdo lloj shume dhe donacioni do ta ndihmonte më së shumti këtë projekt. ”Jam i bindur se shqiptarët e kuptojnë mirë rëndësinë e këtij projekti, dhe u bëj thirrje kudo ku janë nëpër botë, se ky është momenti për t’u bashkuar e nxjerrë në pah vlerat dhe historinë tonë”, thotë Mura duke përfunduar me ftesën: “Nëse dikush ka dëshirë të bëhet cooproducent është i mirëpritur!”