Zv.kryeministrja, njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka dhënë detaje, duke folur me shifra, se çfarë do të përfitojnë shqiptarët nga zbulimi i naftës në zonën e Shpiragut. Ajo tha se fitimet mund të arrijnë deri në 1.5 mln dollarë.
“Do të jetë 10% renta minerare, tatim fitimi në masën 50%, bonusi i prodhimit që është 250 mijë dollarë me prodhimin e fuçisë së parë, 750 mijë kur prodhimi arrin 15 mijë fuqi, 1.5 mln dollarë kur arrihet 30 mijë fuqi”, tha Balluku.
Nisur nga këto të ardhura, Balluku tha se këto para do të menaxhohen nga një Fond Sovran.
“Nuk janë të ardhura 500 mln në vit, por flasin për të ardhura shumë të larta që do të menaxhohen nga Fondi Sovran, përfitimi do të jetë i prekshëm për të gjithë”, shtoi ajo.
Balluku tha se në vijim kur të filloj puna për nxjerrjen e naftës, kompania pritet të punësojë 5 mijë punonjës shqiptarë.
Ministrja shtoi se një pjesë e teknikëve kanë kryer aktualisht trajnimet në akademinë e Shell dhe po punojnë në puset 5 dhe 4 të kompanisë.
Ajo shtoi se Shell po përgatit edhe inxhinierët që pritet të punojnë në investimin prej 7 miliardë euro që do të bëhet për nxjerrjen e naftës.
“Unë së bashku me drejtuesit e kompanisë do të tregojmë publikisht disa nga projektet që kemi bërë në ditët në vijim. Vlen të theksohet se në përfundim të eksplorimit dhe në nisjen e prodhimit, kontratat 2 dhe 3 parashikojnë që të kenë një angazhim prej 5 mijë punonjësish. Edhe ditën e djeshme ne kemi takuar shumë punonjës shqiptarë, disa prej tyre ofrojnë shërbime që nuk kërkojnë një ekspertizë në fushën e naftës dhe të gazit. Por kishte dhe shumë të rinj që kanë marë dije në akademinë e Shell për më shumë se 18 muaj dhe tashmë janë duke kontribuar në pusin 5 dhe 4 si teknikë nafte dhe disa prej tyre janë duke u përgatitur për inxhinier. Numri i punonjësve do të arrijë mbi 5 mijë, kjo është e rëndësishme”, tha Balluku.
Megjithatë, kryeministri Edi Rama u kujdes të theksonte se këto fitime do të vinin vetëm në rast se testi përfundimtar do të ishte i suksesshëm.
“Nuk kemi sot për sot një shifër, kemi disa skenar, kështu që do ishte e tepër që këto skenarë të diskutohen sot, për këtë arsye kompania është shumë strikte deri në pasjen e një rezultati përfundimtar, në rast se testi do të jetë i suksesshëm”, përfundoi Rama.
Testi do të nisë në muajin tetor dhe pritet një përgjigje përfundimtare brenda muajit dhjetor.