Gjendet rruga e dialogut mes qeverisë dhe naftëtarëve në Ballsh. Gratë naftëtare do të pezullojnë grevën e urisë dhe lajmërojnë se zgjidhja është e vetmja rrugë për të mos protestuar sërish. Kryeministri Edi Rama pritet të ulet me ta, të hënën.
Dita e 26 e grevës së urisë së naftëtarëve shënon hapin e parë të dialogut me qeverinë për pagat e prapambetura. Gratë naftëtare kanë rënë dakord të ndërpresin protestën, për të diskutuar me Kryeministrin Edi Rama.
Takimi pritet të bëhet rreth orës 18:00 në Fier, ndërsa nga naftëtarët do të zgjedhin një përfaqësi. Lajmi u përshëndet edhe kryeministri Rama, i cili më herët ka përsëritur thirrjen për dialog.
“Më vjen keq shumë ditë mundim të panevojshëm, përderisa jo vetëm kemi qenë plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit tuaj, po edhe të gatshëm ta qajmë hallin së bashku! Tani caktoni përfaqësinë dhe nesër do të jem vetë aty me ju,” shkruan Rama në Twitter.
Naftëtarë, duke kërkuar nga qeveria që të mos i zhgënjejë sërish, janë shprehur se nëse nuk do të gjejnë kompromis për zgjidhje do t’i rikthehen sërish grevës.
Dy muajt e fundit naftëtarët e Ballshit ishin futur në grevë urie për të kërkuar shlyerjen e 26 pagave të prapambetura dhe rifillimin e punës së rafinerisë së Ballshit.