Ish-Kryeministri Fatos Nano është takuar për herë të parë me Sali Berishën në vitet ’90 në një takim në gazetën Zëri i Popullit.
Gjatë atij takimi, Nano thotë se kuptoi që Berisha nuk e pranonte mendimin ndryshe. Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Fatos Nano ka përshkruar momentet e para të njohjes së tij me Sali Berishën.
Blendi Fevziu: Kur e keni njohur për herë të parë Sali Berishën? Para apo pas Dhjetorit të ’90?
Fatos Nano: Sali Berishën e kam takuar për herë të parë në redaksinë e Zërit të Popullit, ku ishim thirrur për një bisedë nga kryeredaktori i kohës, Përparim Xhixho, bisedë rreth temave sociale, ekonomike, politike. Ishte një bisedë gjysmë e hapur. Përparimi që ka qenë çik qerrata, nuk mori kot personazhe të tilla, Saliun, mua, Spiro Deden, ka qenë dhe një jurist, Aleks Luarasi. Dhe na shtroi disa pyetje nga këto që ziente opinioni. Dhe pasdite na ftoi në redaksi dhe ishim ulur në të njëjtën dhomë. Saliu ulur, unë përballë tij. Secili shikonte bocat e veta. Aty e pashë për herë të parë. Nuk e njihja, dukej njeri energjik, dukej nga flokët pak malësor, i gjatë, atletik. Në një moment më pyet: “Fatos si thua ti, a është mirë kjo gjë ta them kështu”. Unë i jap një mendim alternativ. E pashë që u step dhe u tërhoq, nuk më pyeti mi. Pra në qoftë se do më pyesje siç më pyet sot, cili është impresioni i parë për Saliun, është që nuk e pranonte mendimin ndryshe.
Nano: Berisha u mor personalisht me burgosjen time, në 21 Janar pushoi së qeni politikan
Në vitin 1993, Fatos Nano në cilësinë e kryetarit të opozitës në atë kohë nën drejtimin e PS, u arrestua për akuzat e korrupsionit. Ende sot e kësaj dite, Nano fajëson Sali Berishën për burgosjen e tij.
Në një intervistë të rrallë për emisionin Opinion në Tv Klan, Nano ka akuzuar direkt Berishën duke thënë se është marrë personalisht me burgosjen e tij.
Fatos Nano e konsideron Sali Berishën në fillimet e tij si një intelektual kur hyri në politikë, e që më pas u bë politikan, ose siç e konsideron ai “kafshë politike”.
Duke komentuar ngjarjen e 21 Janarit 2011 në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Fatos Nano thotë se pas këtij momenti, Sali Berisha pushoi së qeni edhe politikan.
Blendi Fevziu: Raporti juaj ka pasur shumë ulje-ngritje. Keni qenë përplasur shumë, por njëkohësisht edhe keni bashkëpunuar. Si do ta përkufizonit sot, jashtë këtyre impresioneve ose ndjesive personale, si politikan Sali Berishën?
Fatos Nano: Do përpiqem të jem i drejtë dhe i sinqertë. Sali Berisha hyri në politikë si intelektual. Pra, intelektual humanist, mjek kardiolog. Në momentin që mori drejtimin e PD, ai u bë politikan. E them këtë gjë sepse intelektuali dhe politikani me kalimin e kohës i lënë vendin njëri-tjetrit. Janë të rralla rastet kur politikani mbetet aq intelektual sa duhet. Më pas ai ka mbikëqyrur që nga idea e parë që hodhi vetë deri në realizim, deri në atëherë kur ra shteti në ’97, burgosjen dhe mbajtjen time në burg. Është marrë ‘in persona’ me këtë gjë.
Blendi Fevziu: Berisha thotë që nuk jam marrë unë me këtë gjë.
Fatos Nano: Berisha thotë shumë gjëra për shumë gjëra, përfshirë dhe 21 Janarin, por unë kam të dhënat e kohës, të dhëna nga njerëzit që kanë qenë dëshmitar në zyrën e tij kur ai është marrë ‘in persona’ me mbajtjen time në burg. Dhe me burgosjen e liderit të opozitës, ai u kthye në kafshë politike. Politikanët janë kafshë politike. Dhe kur marrin vendime të tilla nuk mund të mos u thuash kafshë politike. Në 21 Janar, ai mbikëqyri, drejtoi dhe u përpoq të mbulonte vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm përballë një proteste masive popullore. Janë të njohura nga shumë njerëz faktet për këtë gjë dhe veçanërisht sjellja e Berishës përballë fakteve. Dhe unë jam i detyruar të them që në 21 Janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan dhe mbeti pjesa tjetër…. që po e dëshmon tani me qytetarin dixhital.