Ish-kryeministri Fatos Nano citon shpesh Biblën, dhe për këtë ai thotë se nuk beson dot dogmat dhe prandaj duhet të gjykosh. Në një intervistë ndryshe për emisionin Opinion, Nano ka treguar një histori kur ka qenë në burg.
Në rrëfimin e tij, ai thotë se në qeli i shkoi një prift amerikan për ta takuar dhe për të parë kushtet në cilët qëndronte.
Por, teksa po bisedonte anglisht me priftin, në dialog ndërhyri edhe drejtori i burgut pasi ishte i shqetësuar për të mësuar se çfarë po bisedonin të dy anglisht.
Blendi Fevziu: Ka dy vese në këtë shoqëri. E para është ekzaltimi kur ke pushtetin dhe e dytë është xhelozia kur të shohin që je duke ecur përpara. Nuk e di nëse i keni ndjerë në karrierën tuaj fort këto dy forca. Nuk flas vetëm si ndjesi, por edhe si veprim.
Fatos Nano: Natyrisht kanë qenë prezentë, por nuk ke shumë kohë të merresh me to. Dhe le ta kalojmë këtë me sportivitet. Ai që ushqen ndjenja të tilla, ai i bën keq vetes. Bën një nga 7 mëkatet kapitale të Biblës. E pengon dhe atë, sjell dhe dëm në komunikim. Por janë gjithmonë prezente në mjedisin politik, edhe pastaj shfaqen në intriga.
Blendi Fevziu: E shoh që disa herë citoni Biblën, e keni cituar dhe më parë. Besoni?
Fatos Nano: Është pjesë e kulturës së njerëzimit të cilën duhet ta njohësh. Ne jemi qenie me tru normal, duhet të gjykosh mbi të. Nuk beson dot dogmën. E kam lexuar Biblën, kam lexuar Kuranin. Kam bërë një krahasim mes të dyjave, kam lexuar dhe literaturë shoqëruese myslimane dhe të krishterë. Ka shumë histori që të mësojnë më shumë se sa vetë ajetet, dhe kështu mund të ruhesh nga dogma dhe mund të dallosh më kollaj ata që janë dogmatik. Për shembull, dikur erdhi një prift amerikan në burgun e Tiranës në kohën që isha i burg, i shoqëruar nga drejtori i cili nuk dinte anglisht. Në një moment prifti m’u afrua dhe më tha unë kam ardhur të shikoj kushtet në të cilat të mbajnë sepse Departamenti i Shtetit kërkon informacion. Tani drejtori, nipi i Qazim Mulletit që ato kohët e para ishte shumë aktiv për ta ngordhur këtë kafshën që kishin sjellë aty, më vonë u bëmë miq, i shqetësuar çfarë po thonë këta në anglisht, i thotë atij: “Dëgjo, se ky kot bën sikur lexon libra fetarë se nuk e beson Zotin”. Ku e di ti, i tha ai. Po s’i beson qeverisë – tha – nuk i beson Zotit (qesh).