Gjatë 2021 kemi një rënie të trafikimit të drogës drejt Italisë me 100%, nga 911 kg në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kështu deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano në konferencën e përbashkët ndërmjet Policisë së Shtetit dhe policisë italiane, për përfundimin e procesit të monitorimit ajror të territorit për trafikun e drogës.
“Kemi evidentuar 848 vepra penale për kultivimin e bimëve narkotike, nga të cilat 736 janë raste kultivimi dhe 112 procedime proaktive. Janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 668 shtetas nga të cilët 400 janë ndaluar apo arrestuar në flagrancë. Janë identifikuar dhe asgjësuar 164.775 bimë narkotike, nga të cilat 20.997 në kubikë”, u shpreh Nano.
Drejtori i Policisë nënvizoi se gjatë këtij viti janë përdorur 50 dronë, nga 24 të tillë të përdorur më 2019 dhe 38 përdorur për vitin 2020.
Ai theksoi se për monitorimin ajror janë përdorur me efikasitet helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes, ku për këtë vit janë kryer 69 orë fluturimi.
Kreu i Policisë së Shtetit nënvizoi se gjatë 2021 kanë nisur hetimet për 165 zyrtarë vendorë, administratorëve të njësive administrative, kryetarëve të fshatrave dhe inspektorëve të shërbimit për shpërdorim detyre dhe moskallëzim të krimit.