Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, tha se në Shqipëri nuk ka grupe të fuqishme kriminale. “Nuk ka grupe të fuqishme, këto janë mite që i krijojnë vet ata”, tha Nano nga Vlora. “Do të goditen të gjitha grupet kriminale. Kemi hetime shumë serioze në dorë, do të shikoni rezultate shumë shpejt”.
Megjithatë, ai pranoi se ka një problem me kultivimin e kanabisit në Shqipëri. “Po përballemi me shtëpi ku kultivohet kanabis me llamba, dhe OSHEE nuk ka asnjë raport për këtë. Ju kujtoj se kushdo që shpërdoron detyrën do të përballen me forcën e ligjit. Po ashtu, kontrollet e territorit do të vijojnë me dronë e helikopter. Nuk jam këtu për t’ju shantazhuar, por duhet ushtruar kontroll me OSHEE-në për evidentimin e laboratorëve të drogës”, shtoi Nano.
“Forca goditëse e policisë ndaj kësaj veprimtarie kriminale, do të sjellë ulje e kriminalitetit, por edhe ndryshimi i perceptimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nga të gjithë institucionet, Policia e Shtetit e ka paguar më shtrenjtë luftën kundër kanabisit. Vjet humbëm një efektiv policie, i cili u vra në krye të detyrës”.
Nano tha gjithashtu se testi i drogës për efektivët e policisë, do të vijojë.