“Gara për të fituar vëmendjen e myslimanëve që në rrethana politike e elektorale janë edhe votues, i bën politikanët shqiptarë qesharakë dhe butaforikë”. Është ky mendimi i drejtuesit të Provokacijas Mustafa Nano, i cili u bën apel që të shmangen nga situata të tilla duke qenë se ata nuk janë besimtarë, por ateistë.
“…. Po më pas kur ezani hesht, çfarë bëhet me poteren?
Ç’bëhet me flakadanët? Po për besimtarët kush mendon me respekt? … Megjithatë në sofrën e iftarit ka vend për të gjithë, edhe për hipokritët, për të cilët i shenjti Kuran dëshmon që janë kureshtarë…. Në Kuran vazhdojmë lexojmë, se “ka njerëz, që e marrin Zotin për dëshmitar të zemrës së tyre, por në të vërtetë janë ngatërrestarë dhe të pandreqshëm…”. Lidhur me ta, Kurani porosit, “mos qentë e thënë t’i bësh më të voglin dëm myslimanit, por dhe kujtdo besimtari tjetër, klithma e të cilit prej arrogancës tënde vjen te unë pa dallim dhe vjen si të thuash gjithmonë një kohë kur e mira dhe e keqja që ecin bashkë krah për krah, duke iu fshehur njëra-tjetrës, përplasen. E mira, shpesh herë duket e dobët. E keqja rëndom duket e fortë, por në përplasjen mes tyre më shpesh triumfon e para sesa e dyta.” … Kurani nuk i përjashton kundërshtarët, i nënkupton si pjesë e jetës por thotë luftoni, luftoni kundërshtarët, por pa dalë nga shtegu i Zotit. Mos u bëni faqezinj dhe bukëshkalë, se Zoti nuk i do bukëshkalët. Lufto pra vetë, fundja përgjegjës je vetëm për vetveten dhe sjelljen tënde dhe shtegu i Zotit për ata që s’besojnë është ai i arsyes. Zoti ndihmon këdo që në shtegun e arsyes kërkon ndihmë dhe i ndriçon arsyen kujtdo që atij i drejtohet pa i diktuar se çfarë duhet të besojë dhe kë duhet të besojë…../Edi Rama
Mustafa Nano: Nuk di ku i ka parë Rama këto, më duket lexim konvenjent që Rama i bën Kuranit. Më duket se komunikonte jo me myslimanët si besimtarë, por si votues. Është një varg fjalësh që nuk lidhen me njëra-tjetrën nuk formojnë dot fjali.
Nuk është hera e parë që politikanët përpiqen të marrin rolin e predikatoret fetar. kjo nuk u shkon fare se të gjithë politikanët shqiptarë janë ateistë dhe gjithë predikimet i kanë dëngla fetare.
Rama është ateist, ashtu si Berisha e Basha, nuk kanë dhënë shenja për besimtarë dhe kur dëgjoj Ramën që predikon gjëra të tilla më vjen për të qeshur.
Dhe më pas Nano sjell një tjetër fjalim të kreut të Partisë Demokratike, që sipas tij njësoj si fjala e Ramës është qesharake.
“Kjo kontratë e rrugës Milot-Balldre do të varroset. Edi Rama, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri, do të shkoni para drejtësisë. BETOHEM PARA KISHËS SË LAÇIT se ju presin hekurat. Hajdutëri nuk do të lejojmë. Kompanitë e ndërtimit që janë përfshirë në këtë histori t’i thërrasin mendjes, se do t’iu konfiskojmë çdo qindarkë. Do t’i trajtojmë si bandë të organizuar, se nuk i kanë lënë gjë krimit të organizuar. Harrojeni ju se do t’i lëmë njerëzit pa shkollë. Qindarkë për qindarkë do t’jua marrim paratë dhe do t’i kalbim në burg. Ndaj tërhiquni ju o oligarkë të babëzitur. Nuk e mbani dot gjallë kufomën e tij. Fundi i Tiranisë ka ardhur. BETOHEM PARA KISHËS SË LAÇIT”./ Lulzim Basha
Mustafa Nano: Për mua këto janë skena dhe fabula fantastike për të bërë estradë dhe unë do t’u bëja apel këtyre njerëzve që ta evitonin situatën kur vendosen në situata të tilla qesharake dhe butaforike.