Sport Napoli tentoi edhe shtyrjen e Superkupës së Italisë me Juven, por refuzohet...

Napoli tentoi edhe shtyrjen e Superkupës së Italisë me Juven, por refuzohet prerë

Pasi fitoi betejën për të rikuperuar ndeshjen që fillimisht iu dorëzua në tavolinë Juventusit, Napoli provoi të ndërhynte edhe në finalen e Superkupës së Italisë, por u përball menjëherë me një përgjigje negative nga Liga Italiane e Futobllit.

Presidenti Aurelio De Laurentis, i shtyrë edhe nga suksesi në gjyqin e fundit kundër bardhezinjve, propozoi që finalja kundër Juventusit të mos zhvillohet të mërkurën e 20 janarit. Shkaqet janë dy dhe kryesor është ai i aspektit ekonomik, me fitimet që do të ishin shumë herë më të ulëta se vitet e kaluara.

Nëse në edicionin e vitit 2019, të ardhurat nga finalja e SuperKupës në Arabinë Saudite sollën rreth 5,8 milionë euro të ardhura, eventi këtë herë, edhe pa prani të tifozëve do të përgjysmojë fitimet, që nuk shkojnë më shumë se 2,6 milionë euro. Kjo do të thotë që klubeve u ushtohet edhe barra e premios që këtë herë duhet të dalë nga xhepat e tyre, për skuadrën që do të triumfojë.

Arsyeja tjetër është fakti që ndeshja luhet në Reggio Emilian, një zonë me risk të lartë infektimi. Napolentanët dëshirojnë që Finalja e Superkupës të zhvillohet në fund të sezonit. Deri atëherë, me shpresën që situata do të jetë më e favorshme dhe mund të ketë edhe një minimum tifozësh.

Ky propozim u refuzua nga Liga, edhe për faktin se kalendari është shumë i ngjeshur këtë sezon dhe ka thuajse aspak vend për ndryshime, ndaj Napoli-Juventus luhet sikurse është programuar, të mërkurën e ardhshme në orën 20:45.