Bota NASA do ta provojë sërish të shtunën të nisë raketën drejt Hënës

NASA do ta provojë sërish të shtunën të nisë raketën drejt Hënës

NASA do të përpiqet përsëri të shtunën të nisë raketën e saj të re drejt Hënës në një fluturim provë, pasi problemet me motorin ndalën nisjen më herët këtë javë.

Drejtuesit thanë të martën se po ndryshojnë procedurat e furnizimit me karburant. Një sensor difektoz gjithashtu mund të jetë bërë shkak për braktisjen e lëshimit të së hënës, vunë në dukje ata.

Raketa 98 metra e gjatë – më e fuqishmja e ndërtuar ndonjëherë nga NASA – mbetet në platformën e saj në Qendrën Hapësinore Kennedy, me një kapsulë ekuipazhi të zbrazët.

Raketa “Space Launch System” do të përpiqet ta dërgojë kapsulën përreth Hënës dhe ta rikthejë në Tokë. Askush nuk do të jetë në bord, përveç tre manekinëve të provës. Nëse del me sukses, kjo do të jetë kapsula e parë që do të fluturojë në Hënë që nga koha e programit të NASA-s, “Apollo”, 50 vjet më parë.

Vazhdimi i punës për një nisje të shtunën do të sigurojë të dhëna të mëtejshme, edhe nëse problemi rishfaqet dhe numërimi mbrapsht ndalet përsëri, tha drejtuesi i programit të raketave të NASA-s, John Honeycutt. Kjo është më mirë “se të rrimë ndenjur duke kruajtur kokën, a ishte mjaftueshëm mirë apo jo”, tha ai.

“Bazuar tek ato çfarë kam dëgjuar nga ekipi teknik sot, ajo që duhet të bëjmë është të vazhdojmë të shqyrtojmë të dhënat dhe të përmirësojmë planin tonë të fluturimit”, tha ai.

Gjatë përpjekjes së nisjes që u bë ditën e hënë, parametrat treguan se një nga katër motorët kryesorë në fazën bazë të raketës nuk mund të ftohej mjaftueshëm përpara ndezjes së planifikuar për ngritjen. Edhe tre motorët e tjerë ishin pak më të ngrohtë se ç’duhej.

Të gjithë motorët duket se janë në rregull, tha zoti Honeycutt.

Operacioni ftohës do të kryhet gjysmë ore më herët për tentativën e nisjes të së shtunës pasdite, pasi të fillojë furnizimi me karburant atë mëngjes. Zoti Honeycutt tha se ky motor pati një kohë ftohjeje më të shkurtër gjatë provave të suksesshme vitin e kaluar dhe se ndoshta kryerja e procesit më herët mund të mjaftojë.

Zoti Honeycutt gjithashtu vuri në dyshim integritetin e një sensori të motorit, duke thënë se mund të kishte dhënë të hënën të dhëna të pasakta. Ndryshimi i këtij sensori, vuri në dukje ai, do të nënkuptonte tërheqjen e raketës përsëri në hangar, duke rezultuar në javë të tëra vonesash.

Ndërsa duhet të ishte realizuar vite më parë sipas planit, fluturimi provë me kosto prej 4.1 miliardë dollarësh është hapi i parë i programit të NASA-s për eksplorimin e Hënës. Programi është quajtur Artemis, sipas motrës binjake të Apollonit në mitologjinë greke. Astronautët mund të bëhen pjesë e udhëtimeve që në vitin 2024 për një xhiro rreth Hënës dhe në vitin 2025 për të tentuar një ulje në sipërfaqen e saj.