Agjencia amerikane e hapësirës planifikon të dërgojë amerikanë në Hënë vitin 2025, duke përfshirë gratë e para dhe personin e parë me ngjyrë
Agjencia amerikane e hapësirës, NASA planifikon të minojë Hënën brenda dekadës së ardhshme, me synimin për të gërmuar dhe ndërtuar atje brenda vitit 2032. NASA planifikon të dërgojë përsëri amerikanë në Hënë deri në vitin 2025 me misionin e saj Artemis, duke përfshirë gratë e para dhe personin e parë me ngjyrë që nga hera e parë që astronautët e Apollo 17 u ulën në satelitin e Tokës në 1972. Ky mision synon të eksplorojë më tej sipërfaqen hënore, të mbledhë informacione për atë që agjencia shpreson të jetë një udhëtim i mëvonshëm në Mars.
“Ne do të bashkëpunojmë me partnerë tregtarë dhe ndërkombëtarë dhe do të krijojmë praninë e parë afatgjatë në Hënë. Më pas, ne do të përdorim atë që do të mësojmë në dhe rreth Hënës për të bërë kërcimin tjetër gjigant: dërgimin e astronautëve të parë në Mars”, citon “The Guardian” atë që thuhet në faqen e internetit të NASA-s, në lidhje me misionin Artemis.
Fillimisht NASA do të kërkojë mënyra për të furnizuar me oksigjen dhe ujë sipërfaqen e thatë hënore. Më vonë synimi është që nga shpërthimet të shfrytëzohen minerale e saj, si hekuri. Këtë muaj, NASA do të dërgojë një mision testimi në hapësirë me planin për të gërmuar tokën hënore, me synimin për ndërtimin e një fabrike përpunimi deri në vitin 2032.
“Fjalë për fjalë, ne thjesht po gërvishtim sipërfaqen e Hënës”, tha një nga ekspertët e NASA. Shkencëtarët shpresojnë të përdorin misionin Artemis për të zgjeruar mundësitë tregtare në hapësirë. Kompanitë komerciale pritet të jenë klientët e parë, duke përdorur burimet e Hënës për karburant.
Faza e dytë e misionit Artemis do të nisë në vitin 2024 kur 4 astronautë do të dërgohen në një mision 8-ditor rreth hënës, hera e parë që astronautët do të shkojnë rreth hënës që nga viti 1972. Në prill, NASA zgjodhi 4 astronautët që do të merrnin pjesë në misionin hënor.
Christina Koch, një specialiste e misionit për udhëtimin, do të jetë gruaja e parë që do të dërgohet ndonjëherë në një mision hënor. Si inxhiniere, Koch tashmë mban rekordin për fluturimin më të gjatë të vazhdueshëm në hapësirë nga një grua. Victor Glover, një aviator i marinës amerikane, do të jetë astronauti i parë amerikan me ngjyrë, si dhe astronauti i parë me ngjyrë në një mision hënor. Glover do të shërbejë si pilot i Artemis II. Dy anëtarët e fundit të misionit përfshijnë Jeremy Hansen, kanadezi i parë i zgjedhur ndonjëherë për një mision në Hënë dhe specialist i misionit për Artemis II, dhe Reid Wiseman, komandant i misionit Artemis II.