Shtyhet afati për rikthimin e njeriut në Hënë. Agjencia Hapësinore Amerikane NASA bën të ditur se pavarësisht se ishte programuar që misioni Artemis 3 të nisej në vitin 2024, kjo datë është spostuar të paktën në vitin 2025. Shkak janë bërë përplasjet mes dy njerëzve më të pasur të botës dhe kompanive të tyre.
Lufta ligjore mes Blue Origin të Jeff Bezos dhe Space X e Elon Musk kanë sjellë një shtyrje të gjatë të misionit. Në fund të betejave ligjore është konfirmuar kontrata me Space X e Elon Musk që duhet të realizojë modulin e uljes në Hënë në kuadër të projektit Starship.
Gjithashtu pas vendimit ka edhe arsye të tjera, ndër të cilat pandemia e koronavirusit, por edhe probleme teknike që lindën me veshjet special të astronautëve. Puna për këto veshje ka nisur 14 vjet më parë dhe deri më sot janë shpenzuar 420 mln $, e mendohet se deri kur të jenë gati, investimi për realizimin e tyre do arrijë në shifrën e 1 mld $.