Nasip Naço largohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim për t’iu bashkuar Partisë Socialiste. Ish-Ministri i Drejtësisë e dha lajmin nga Berati, teksa ndodhej krah Ministrit të Turizmit, Blendi Klosi.
“Sot do të shpreh edhe njëherë qëndrimin tim që do vazhdoj që të jem në krah të së majtës progresive, e cila i ka dhënë tonin Shqipërisë në këto vite. Sigurisht Berati dhe Shqipëria nuk kanë më nevojë për eksperimente politike. Ka nevojë për të ecur përpara. Unë kam qenë pjesë e kabinetit qeveritar nga LSI-ja, së bashku me PS. Kontributi im ka qenë ndoshta modest, por përkushtimi ka qenë tejet i madh për të ecur përpara si me reformën në drejtësi dhe reformat e tjera në vendin tonë, të cilat janë të domosdoshme. Ajo që mund t’ju them është që sot jam me zotin Klosi, por do të jem dhe në të ardhmen në krah të zotit Klosi”.
Përse u larguat nga LSI?
“E thashë pak më parë, Shqipëria nuk ka më nevojë për eksperimente politike. Nuk ka nevojë për njerëz që janë vasalë të dikujt tjetër. Ka nevojë që të përfaqësojnë një pjesë të elektoratit dhe në qarkun e Beratit i cili është i pa përfaqësuar dhe në çdo rast kërkon që votat e tyre të shkojnë në koalicionin me të majtën progresiste”, përfundoi Naço.