Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici kaloi natën e parë në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza”, pas arrestimit nga SPAK pas publikimit të një videoje intime.
Mësohet se Gjici nuk ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ka qenë i qetë, gjatë qëndrimit në qeli.
Gjici është takuar për rreth një orë me avokatin e tij, Përparim Kulluri për strategjinë e mbrojtjes. Të hënën pritet të përballet me gjykatën për verifikimin e masës së sigurimit.
Përfaqësuesit ligjorë të Safet Gjicit thonë se akuza e ngritur nga Prokuroria e Posaçme nuk qëndron dhe se vendimi i marrë në mungesë do ankimohet. Po të hënën pritet t’i komunikohet masa edhe shtetases Alma Kaçi, të cilën gjykata e la në “arrest në shtëpi”.
Hetimet për Safet Gjicin nisën disa ditë më parë pas publikimit në rrjetet sociale të një video me përmbajtje erotike, ku ish-kryebashkiaku kryente marrëdhënie intime me shtetasen, Alma Kaçi.
Pas aktit seksual, ata diskutojnë në zyrë për një projekt që do të financohej nga Bashkia për izolimin e qenve endacakë në Kukës. Menjëherë më pas, Gjici thërret në zyrë një nga vartësinë e tij që të merret me dokumentacionin që do dorëzojë shtetasja, Alma Kaçi.
Të gjitha këto veprime të kryera në harkun kohor të pak minutave, sipas SPAK kanë ngritur dyshimet se ish-kryebashkiaku dhe gruaja në video kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, janë duke u verifikuar edhe persona të tjerë që mund të kenë lidhje me këtë histori. Po ashtu janë duke kryer hetime edhe për pretendimet e ish-kryebashkiakut të Kukësit për shantazh.