Lionel Messi tha se fitorja e së martës ndaj Manchester City u dëshmua si një “natë perfekte”, pasi ai shënoi golin e parë me fanellën e PSG në një triumf të madh të Ligës së Kampionëve. Duke luajtur në ndeshjen e tij të katërt me parizienët, që kur u bashkua me ta nga Barcelona kësaj vere, Messi shënoi golin e dytë te PSG, falë asistit të Kylian Mbappe, duke e ndihmuar skuadrën e tij të fitonte 2-0 kundër Pep Guardiolës.
Me këtë gol, Messi shënoi në edicionin e tij të 17-të radhazi të Ligës së Kampionëve. Pas gjithë këtyre viteve, Messi vazhdon të arrijë lartësi të reja në Ligën e Kampionëve. Me golin e tij kundër Manchester City, ai tani ka shënuar në 17 sezone radhazi të Ligës së Kampionëve, duke iu bashkuar Benzemas dhe Cristiano Ronaldos.
Benzema shënoi në pjesën e dytë kundër Sherifit të martën, por skuadra moldave realizoi vonë golin e dytë për ta tronditur Real Madridin 2-1 në “Bernabeu”. Messi, gjithashtu ka shënuar 27 gola në 35 paraqitje kundër ekipeve angleze në Ligën e Kampionëve, 15 më shumë se çdo lojtar tjetër në kompeticion.
Goli kundër City-t ishte goli i 121-të i Messit në Ligën e Kampionëve, duke u pozicionuar 14 gola larg “pajës” së Ronaldos në Champions. Ishte gjithashtu një gol që e pa atë të vazhdonte të mundte ish-trajnerin e tij, Pep Guardiola. Messi tani ka shënuar shtatë herë në pesë ndeshje kundër ish-trajnerit të Barcelonës.