Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç kryeministri të Kosovës, Albin Kurti që të kthehen në dialog.
Përmes një postimi në Twitter, Stoltennerg thotë se ka folur me liderët e të dyja vende për domosdoshmërinë e rikthimit të normalitetit në veri të Kosovës.
Kreu i NATO-s shprehet se është jetike që Beogradi dhe Prishtina të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut.
“Misioni i NATO-a, KFOR mbetet i vendosur të sigurojë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, shprehet Stoltenberg.
Reciprociteti për targat i vënë në zbatim nga qeveria Kurti solli trazira në veri të Kosovës mesnatës e së premtes, teksa disa shtetas serbë dogjën Qendrën e Regjistrimit në Zubin Potok dhe hodhën granata dore edhe në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, por që nuk arritën ta djegin.
Të shtunën gjatë një konference për mediat, kryeministri Kurti kritikoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, që sipas tij po inkurajon grupet kriminale në veri të Kosovës.
Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell la bërë thirrje për qetësimin e tensionit mes Kosovës dhe Serbisë.
Borrell ka kërkuar tërheqjen e njëhershme të trupave speciale si dhe heqjen e bllokadës në rrugë në veri të Kosovës duke shtuar se “çdo provokim apo hap i njëanshëm është i papranueshëm”.
Përfaqësuesi i Lartë i BE bën përgjegjës Vuçiçin dhe Kurtin për cenimin e sigurisë së qytetarëve në Kosovë dhe Serbi. “Ua kam bërë të qartë këtë në telefonatën që kam pasur metë dy”, tha ai.
Përfaqësuesit e dy vendeve për negociatat pritet të takohen ditët e ardhshme në Bruksel dhe këtë Borrell e cilëson një hap i parë pozitiv.