Jens Stoltenberg
Lufta e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës është një pikë kthese në histori.
Në Evropë lufta është rikthyer. Rivalitetet e fuqive të mëdha po rriten. Regjimet autoritare po bashkohen për të sfiduar rregullat dhe institucionet globale që mbështesin paqen dhe stabilitetin.
Presidenti rus Vladimir Putin po shtyp liritë dhe po thellon ndarjet brenda vendit të tij, siç tregoi qartë rebelimi i Wagner-it.
Por askush nuk duhet ta nënvlerësojë Rusinë apo rreziqet me të cilat përballet bota sot.
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut po i përgjigjet një bote më të paparashikueshme me unitet dhe forcë.
Aleatët e NATO-s në Evropë dhe Amerikën e Veriut, si dhe partnerët anembanë globit, kanë ofruar mbështetje të paparë ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën.
Gjatë dekadës së fundit, NATO ka zbatuar përforcimin më të madh të mbrojtjes sonë kolektive në një brez.
Ne kemi forcuar praninë tonë ushtarake në Evropën Lindore dhe kemi rritur shpenzimet e mbrojtjes.
Me anëtarësimin e Finlandës – dhe së shpejti edhe të Suedisë – NATO po bëhet gjithnjë e më e fortë dhe më e madhe.
Ne duhet të vazhdojmë këtë vrull dhe të ruajmë forcën dhe unitetin tonë. Kjo është pikërisht ajo që udhëheqësit e NATO-s do të bëjnë kur të takohemi për samitin tonë nesër në Vilnius.
Pres që aleatët e NATO-s të konfirmojnë mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën, të vazhdojnë të forcojnë mbrojtjen tonë dhe të rrisin bashkëpunimin me partnerët tanë evropianë dhe të indo-paqësorit për të mbrojtur rendin global të bazuar në rregulla.
Këto janë prioritetet e mia kryesore për Vilnius dhe më gjerë, pasi kam nderin t’i shërbej kësaj aleance edhe për një vit.
Çfarë bëjmë – ose nuk bëjmë – tani do të përcaktojë botën në të cilën jetojmë për breza.
Pra, ne do të dërgojmë një mesazh të qartë: NATO qëndron e bashkuar dhe agresioni autoritar nuk do të shpërblehet.
Liri për Ukrainën
Kur vizitova Ukrainën këtë pranverë, pashë vuajtjet e tmerrshme, por edhe guximin dhe vendosmërinë e jashtëzakonshme të popullit ukrainas në mbrojtjen e lirisë së tyre.
Unë vizitova Bucha-n, në veri të kryeqytetit, dhe dëgjova për tmerret e pushtimit rus. Pashë gjithashtu përpjekjet për të rindërtuar një Ukrainë më të mirë dhe më të fortë.
Tani, forcat ukrainase janë përfshirë në luftime të ashpra për të rimarrë territorin e pushtuar, por ato përballen me mbrojtje të fortë ruse dhe terren të ashpër.
Nëse Rusia pushon së luftuari, do të ketë paqe. Nëse Ukraina pushon së luftuari, ajo do të pushojë së ekzistuari si komb.
Ukrainasit nuk do të heqin dorë, sepse sa më shumë fitime të bëjnë në fushën e betejës, aq më e fortë do të jetë dora e tyre në tryezën e bisedimeve.
Të gjithë duan që kjo luftë brutale të përfundojë, por një paqe e drejtë nuk mund të nënkuptojë ngrirjen e konfliktit dhe pranimin e një marrëveshjeje të diktuar nga Rusia.
Një paqe e rreme do t’i jepte vetëm kohë Moskës për t’u rigrupuar, riarmatosur dhe sulmuar përsëri.
Ne duhet të thyejmë ciklin e agresionit rus dhe mënyra më e mirë për të arritur paqen e qëndrueshme nesër është të mbështesim Ukrainën, në mënyrë që ajo të mbizotërojë si një komb sovran.
Aleatët e NATO-s kanë qëndruar pranë Ukrainës që kur fitoi pavarësinë 30 vjet më parë. Ne kemi ofruar vite trajnimi dhe mbështetje pasi Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë dhe destabilizoi Donbas-in në vitin 2014.
Që nga pushtimi i Moskës në shkurt 2022, ne kemi rritur mbështetjen e paprecedentë për të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje, të sanksionuar në Kartën e OKB-së.
Gjatë një viti e gjysmë të fundit, vendet e NATO-s kanë trajnuar dhe pajisur brigada të reja të blinduara ukrainase dhe kanë siguruar tanke, automjete luftarake dhe mbrojtje ajrore të avancuar.
Po ashtu aleatët e NATO-s do të trajnojnë pilotët ukrainas në avionë luftarakë të gjeneratës së katërt. Kjo mbështetje tregon se ne jemi të përkushtuar ndaj Ukrainës për një kohë të gjatë.
Ne, për të forcuar Ukrainën, do të biem dakord për një paketë shumëvjeçare mbështetjeje në samitin e Vilnius-it.
Deri më tani këtë vit, zotimet tashmë arrijnë në mbi 500 milionë dollarë. Kjo paketë do të ndihmojë Ukrainën të rindërtojë sektorin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë, në mënyrë që të mund të mbrohet kundër agresionit të mëtejshëm.
Do të sigurojë që forcat e armatosura të Ukrainës të jenë plotësisht të ndërveprueshme me forcat e NATO-s.
Gjatë 18 muajve të fundit, Ukraina ka bërë hapa të mëdhenj në tranzicionin nga doktrinat ushtarake, metodat e trajnimit dhe pajisjet që datojnë nga epoka sovjetike, drejt standardeve dhe pajisjeve të NATO-s.
Ukraina është më e integruar me aleancën tonë se kurrë më parë, prandaj ne duhet të ndërmarrim hapa për të pasqyruar këtë realitet.
Në Vilnius, ne do të përmirësojmë lidhjet tona politike duke pritur takimin e parë të Këshillit të ri NATO-Ukrainë, së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kjo është një platformë për vendime dhe konsultime për krizën, ku aleatët e NATO-s dhe Ukraina do të ulen si të barabartë për të trajtuar shqetësimet e përbashkëta të sigurisë.
Të gjithë aleatët e NATO-s pajtohen që Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s. Dera e NATO-s mbetet e hapur, siç e kemi dëshmuar duke ftuar Finlandën dhe Suedinë të anëtarësohen vitin e kaluar.
Anëtarësimi i Ukrainës në NATO është një çështje që duhet të vendosin aleatët e NATO-s dhe Kievi: Rusia nuk ka të drejtën e vetos.
Në Vilnius, ne do të vendosim një vizion të fortë për të ardhmen e Ukrainës dhe do ta sjellim vendin më afër NATO-s.
Adresimi i autoritarizmit
Pas Luftës së Ftohtë, NATO punoi shumë për të krijuar marrëdhënie më konstruktive me Moskën, duke përfshirë kontrollin e armëve, kundër terrorizmit, luftimin e piraterisë dhe rritjen e bashkëpunimit shkencor.
Por Putin-i u largua nga bashkëpunimi paqësor, me një model sjelljeje gjithnjë e më të pamatur nga Çeçenia në Gjeorgji dhe Siria në Ukrainë. Ai ka çmontuar arkitekturën ndërkombëtare të kontrollit të armëve dhe po angazhohet në goditje të rrezikshme bërthamore.
Edhe nëse lufta do të përfundonte nesër, nuk ka asnjë shenjë se ambiciet më të gjera të Putin-it kanë ndryshuar.
Ai e sheh lirinë dhe demokracinë si një kërcënim dhe dëshiron një botë ku shtetet e mëdha diktojnë atë që bëjnë fqinjët e tyre. Kjo e vë atë në konfrontim të vazhdueshëm me vlerat e NATO-s dhe të drejtën ndërkombëtare.
Nëse Putin-i fiton në Ukrainë, do të ishte një tragjedi për ukrainasit dhe e rrezikshme për botën në përgjithësi. Kjo do t’u dërgonte një mesazh regjimeve të tjera autoritare se ata mund t’i arrijnë objektivat e tyre përmes forcës.
Kina, në veçanti, po shikon për të parë çmimin që paguan Rusia, ose shpërblimin që ajo merr, për agresionin e saj. Ajo po mëson nga dështimet ushtarake të Moskës dhe reagimi i komunitetit ndërkombëtar.
Kur vizitova Japoninë dhe Korenë e Jugut në fillim të këtij viti, udhëheqësit e tyre ishin të shqetësuar se ajo që po ndodh sot në Evropë mund të ndodhë nesër në Azi.
NATO nuk e sheh Kinën si një kundërshtare.
Ne duhet të vazhdojmë të angazhohemi me Pekinin për të trajtuar sfidat e sotme globale, duke përfshirë përhapjen bërthamore dhe ndryshimin e klimës.
Njëherazi, Kina duhet të përdorë ndikimin e saj të konsiderueshëm mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës së paligjshme në Ukrainë.
Megjithatë, deri më tani, Pekini nuk e ka dënuar agresionin e Moskës dhe në vend të kësaj po rrit bashkëpunimin ekonomik, diplomatik dhe ushtarak me Rusinë.
Sjellja gjithnjë e më shtrënguese e qeverisë kineze jashtë vendit dhe politikat represive në vend sfidojnë sigurinë, vlerat dhe interesat e NATO-s.
Pekini po kërcënon fqinjët e tij dhe po ngacmon vendet e tjera. Po përpiqet të marrë kontrollin e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe infrastrukturës në shtetet e NATO-s. Ne duhet të jemi të qartë për këto sfida dhe jo të tregtojmë interesat e sigurisë për përfitime ekonomike.
Teksa regjimet autokratike afrohen më shumë me njëri-tjetrin, ata prej nesh që besojnë në liri dhe demokraci duhet të qëndrojnë së bashku.
NATO është një aleancë rajonale e Evropës dhe Amerikës së Veriut, por sfidat me të cilat përballemi janë globale. Kjo është arsyeja pse kam ftuar liderët e Bashkimit Evropian dhe të partnerëve tanë më Indo-Paqësor—Australinë, Japoninë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut—të bashkohen me ne në Vilnius.
Ne duhet të kemi një kuptim të përbashkët të rreziqeve të sigurisë me të cilat përballemi dhe të punojmë së bashku për të forcuar qëndrueshmërinë e shoqërive, ekonomive dhe demokracive tona.
Më fortë, më mirë, më shpejtë
Modeli i agresionit rus është një kujtesë e ashpër se ne nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi kundër vendeve të NATO-s.
Ne duhet të vazhdojmë të forcojmë dhe të investojmë në parandalimin dhe mbrojtjen tonë. Por ne nuk po e nisim nga e para.
Që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, aleanca ka ndërmarrë një zhvendosje thelbësore nga misionet ushtarake përtej kufijve të saj në mbrojtjen kolektive.
Dhjetë vitet e fundit ishin një dekadë vendimtare e përshtatjes, duke përgatitur NATO-n për një të ardhme të paparashikueshme.
Prej vitit 2014, ne kemi dislokuar trupa të gatshme luftarake në pjesën lindore të territorit të NATO-s për herë të parë, kemi vendosur më shumë trupa në gatishmëri më të lartë në të gjithë aleancën dhe jemi përshtatur për të mbrojtur shtetet e NATO-s në hapësirë dhe në hapësirën kibernetike po aq efektive sa bëjmë në tokë, në det dhe në ajër.
Këtë vit, shpenzimet e mbrojtjes të aleatëve evropianë dhe Kanadasë do të rriten me 8.3 për qind në terma realë. Dhe kjo është rritja më e madhe në dekada, viti i nëntë radhazi i rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në të gjithë NATO-n. Gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rrisin shpenzimet e tyre.
Tani ne po ndërmarrim hapa të mëtejshëm të rëndësishëm për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen tonë.
Ne do të pajtohemi me plane të reja, të detajuara të mbrojtjes rajonale, të cilat janë plotësisht të lidhura me forcat, aftësitë, komandën dhe kontrollin e nevojshëm për t’i zbatuar ato.
NATO do të ketë 300 mijë trupa në gatishmëri më të lartë, duke përfshirë fuqi të konsiderueshme luftarake, ajrore dhe detare.
Po përshtatim strukturat tona komanduese për të pasqyruar gjeografinë e re të aleancës, me anëtarësimin e Finlandës, e cila ka dyfishuar kufirin tokësor të NATO-s me Rusinë dhe së shpejti anëtarësimin e Suedisë. Ky është një ndryshim i lojës për sigurinë evropiane dhe do të sigurojë një mburojë të pandërprerë nga Baltiku në Detin e Zi.
Ne po rrisim gjithashtu në mënyrë thelbësore bashkëpunimin me industrinë e mbrojtjes për të rritur prodhimin, si për mbrojtjen e Ukrainës ashtu edhe për tonën.
Ky ndryshim thelbësor në mbrojtjen tonë kolektive kërkon një përkushtim brezash për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Ne po bëjmë përparim të vërtetë, por jo aq shpejt sa kërkon kjo botë e rrezikshme.
Në Vilnius, aleatët e NATO-s do të bëjnë një angazhim më ambicioz për të investuar dy për qind të PBB-së në mbrojtjen tonë. Kjo shifër duhet të jetë një dysheme për t’u ndërtuar, jo një tavan për t’u arritur.
Ne duhet të investojmë më shumë dhe tani, sepse siguria është themeli për lulëzimin e ekonomive dhe shoqërive tona.
Parandalimi i agresionit sot është më pak i kushtueshëm sesa luftimi i një lufte nesër.
Lufta e agresionit të Putin-it kundër Ukrainës ka shkatërruar çdo iluzion të mbetur të bashkëpunimit paqësor, kështu që ne duhet të shpenzojmë më shumë dhe të bëjmë më shumë së bashku për të qëndruar të sigurt.
Sfidat janë të mëdha, por NATO ka qenë një spirancë e stabilitetit për Evropën dhe Amerikën e Veriut për gati 75 vjet.
Në një botë me rreziqe në rritje, NATO do të vazhdojë të mbrojë njerëzit tanë, të mbrojë vlerat tona demokratike dhe t’i mbajë kombet tona të forta.
*Marrë nga “Foreign Affairs”