Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) ka ndihmuar sot Shqipërinë me 60 respiratorë të rinj në kuadër të fuqizimit të përpjekjeve për të përballuar agresivitetin e pandemisë së Covid-19.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përshëndetur këtë akt, ndërsa thotë se SHBA është e përkushtuar së bashku me venet anëtare të NATO-së për t’i bërë ballë virusit, i cili ka marrë shumë jetë njerëzish në të gjithë globin.
“Aleatët e NATO qëndrojnë të bashkuar në luftën kundër COVID-19. Dorëzimi i sotëm në Shqipëri i 60 respiratorëve të prodhuar në Amerikë nga stoku i Aleancës tregon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj lidhjes sonë transatlantike dhe bashkimin e vërtetë të NATO-s përballë sfidave globale”, thekson ambasada e SHBA.
Gjatë javës së fundit në Shqipëri është vënë re një trend rritës i të infektuarve me Covid-19, dhe kjo panoramë ka vënë në lëvizje autoritetet shëndetësore, të cilat kërkojnë nga qytetarët të jenë më vigjilentë.