NATO nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë apo avionë në hapësirën e saj ajrore. Këtë deklaroi Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg në një konferencë shtypi nga baza ushtarake Lask në Poloni, në përgjigje të ministrit rus të Mbrojtjes.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shpjegoi se NATO “do të mbrojë çdo territor të NATO-s, por ne jemi një Aleancë Mbrojtëse dhe nuk kërkojmë konflikt me Rusinë, e cila duhet të ndalojë menjëherë luftën dhe t’i kthehet diplomacisë. Lufta e Putinit prek të gjithë dhe aleatët e NATO-s janë të bashkuar”, shtoi ai.
“Aleatët ofrojnë mbështetje ushtarake për Kievin. Ne nuk do të dërgojmë aeroplanë në Ukrainë, sepse do të ishte ndërhyrje në këtë luftë”, konfirmoi presidenti i Polonisë Andrzej Duda.
Ndërkohë Rusia ka deklaruar se do të vazhdojë ofensivën në Ukrainë, derisa të gjitha objektivat të jenë arritur, tha ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shoigu.
“Forcat e armatosura ruse do të vazhdojnë të kryejnë operacionin special ushtarak, derisa të arrihen objektivat e përcaktuara. Moska synon çmilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës, si dhe mbrojtjen e Rusisë nga një kërcënim ushtarak i krijuar nga vendet perëndimore”, tha ministri rus i Mbrojtjes Shoigu në një konferencë për shtyp të transmetuar në televizionin shtetëror.
Ukraina: Bjellorusia i është bashkuar pushtimit rus
Ukraina pretendon se trupat bjelloruse u janë bashkuar rusëve në pushtimin e vendit të tyre. Në një postim në Twitter të faqes së Parlamentit të Ukrainës, thuhet se konfirmimi për këtë akt vjen nga zëdhënësi i forcave ushtarake të territorit Chernihv, në veri të vendit.
“Trupat bjelloruse kanë hyrë në rajonin Chernihiv. Ky informacion konfirmohet për publikun nga Vitaliy Kyrylov, zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Territoreve të Veriut”.
Sipas raportimeve lokale, rreth 33 tanke bjelloruse kanë kaluar në zonat kufitare. Edhe pse Presidenti bjellorus, Alekxander Lukashenko, kishte deklaruar se nuk do të bashkohej në luftën e Rusisë, zyrtarë të ndryshëm perëndimore kishin paralajmëruar që një gjë e tillë mund të ndodhte.