Disidenti rus, Alexei Navalny, i cili është i sëmurë dhe ka nisur një grevë urie kundër kushteve të këqija në burg rrezikon të pësojë një arrest kardiak nga momenti në moment.
Lajmi u dha nga zëdhënësja e tij, e cila deklaron se mjekë pranë opozitës kërkojnë dita ditës nga autoritetet mundësinë që ta vizitojnë.
“Zakonisht njerëzit e shmangin fjalë “po vdes”, por kjo është ajo që po ndodh me Alexei. Ai po rrezikon jetën. Kushtet e tij shëndetësore janë shumë të këqija”, shkruan në Tëitter, Kira Yarmish.
Mjekët e tij kanë shpjeguar se rreziku është ai i një arresti kardiak “nga njëri moment në tjetrin”.
Më 31 mars, Navalny, i cili qëndron në burg prej shkurtit, ka nisur një grevë urie për të kërkuar një trajtim mjekësor të përshtatshëm për dhimbjet e tij në shpinë dhe kushte më të mira. Opozitari rus është duke vuajtur një dënim me dy vjet e 6 muaj në një burg në Pokrov, rreth 100 km në lindje të Moskës.