Kulturë Ndahen çmimet Grammy, Billie Eilish bën histori, rrëmben 5 çmime

Ndahen çmimet Grammy, Billie Eilish bën histori, rrëmben 5 çmime

Billie Eilish ishte mbretëresha absolute e ceremonisë së çmimeve Grammy mbrëmjen e së dielës, duke fituar 5 të tilla, ndër të cilat edhe 4 më të rëndësishmet, për albumin, këngën dhe regjistrimin më të mirë të vitit, dhe gjithashtu atë të artistit të ri më të mirë.

18-vjeçarja e kthyer në sensasion për adoleshentët, fitoi për albumin e saj debutues “When We All Fall Asleep, Where Do We Go?” dhe singëllin “Bad Guy”.

“Shumë këngë të tjerë e meritonin çmimin. Më vjen keq. Ju falënderoj shumë, këto janë Grammy-t e parë për mua dhe nuk e kisha imagjinuar kurrë që do të vinte kjo ditë”, deklaroi këngëtarja.

Eilish zë vendin e Taylor Swift si artistja më e re që fiton çmimin për albumin më të mirë. Vëllai i saj, Finneas O’Connell, u vlerësua si producenti i vitit për punën në realizimin e albumit të 18-vjeçares.

Një tjetër fytyrë e re e industrisë, Lizzo, iu rrëmbeu emrave veteranë 3 statueta, përfshirë për performancën më të mirë pop, solo.

“Para së gjithash falënderoj akademinë. Kjo ishte vërtet diçka e çmendur, e papritur.  Po ju drejtohem të gjithë ju që jeni këtu në këtë sallë. Ne duhet të vazhdojmë të arrijmë tek njerëzit, pasi muzika bën të ndjehesh mirë, të çliron”, tha Lizzo.

Rreperi Lil Mas X fitoi dy çmime për “Old Town Road”, një bashkëpunim me Billy Ray Cyrus. Ceremonia u hap me homazhe ndaj yllit të basketbollit, Kobe Bryant, i cili vdiq në një aksident me helikopter më herët gjatë ditës.

Mes performancave të mbrëmjes ishin ato të Lizzo, Kamila Kabello, Billie Eilish, Usher dhe Aerosmith që së bashku me Run-D.M.C. solli një version të këngës hit, “Walk this Way”.