Aktori i njohur dhe regjisori Andon Qesari është ndarë mëngjesin e sotëm nga jeta në moshën 78-vjeçare. Lajmi për vdekjen e aktorit është bërë publik nga i biri, Edon Qesari.
Djali i aktorit në një postim në mediat sociale shkruan se aktori vuante nga një sëmundje e gjatë dhe kohët e fundit gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar shumë.
Andon Qesari, lindi i në Qeparo në 27 qershor 1942 dhe për shumë vite ka luajtur në shumë filma e vepra teatrale. Më 1966 u diplomua për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu”.
Pas diplomimit u emërua aktor në Teatrin Profesionist të Vlorës, ndërsa në vitin 1975 rifilloi aktivitetin e tij artistik si aktor, por në Teatrin Kombëtar.
Ka interpretuar shumë role, duke filluar nga Besniku “Shënomëni dhe mua”, Feni “Furnalta”, realizoi më vonë Vurmi “Intrigë dhe dashuri”, Qamil Beu “Epoka para gjyqit”, Aleksi “Doktori pacient”, Luixhi “Tragjedia e Deas”, Zeusi “Prometeu”, At Kormili “Monserati”, Kryetari “Vizita e damës plakë”, Ksanthi “Ezopi”, Komisari “Opertunesku” “Kapuleti” “Romeo e Zhulieta”, Berlingu “Vizita e inspektorit”, Konti “Fernando Krafi më ka shkruar një letër”, etj.
Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë. I suksesshëm edhe si regjisor: “Karnavalet e Korçës”, “Pallati 176”, “Nën dritat e skenës”, “Në jetë”, “Valsi i Titanikut”, etj. Është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.